Superliga Evropiane “vdiq që në lindje”, megjithatë tema e diskutimit mbi të vijon të jetë e nxehtë, pasi tre nga 12 klubet themeluese, Juventusi, Barcelona dhe Reali i Madridit, nuk kanë hequr dorë ende zyrtarisht nga ky kompeticion.
I pyetur për këtë çështje, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin deklaroi se me tre klubet rebele nuk ka asnjë komunikim, përveç atij formal zyrtar, teksa shmangu komentet në lidhje me sanksionet e mundshme të tyre.
“Me tre klubet rebele nuk ka më dialog. Dërgojnë vetëm letra formale drejt UEFA-s dhe 9 klubeve të tjera që hoqën dorë. Për sanksione nuk mund të flas, pasi ne kemi një komision disipline të pavarur dhe do të ishte jo etike që kreu i UEFA-s të jepte mendimin e tij pa folur ende organi që merr këto vendime”, u shpreh Ceferin.
Së fundi është folur edhe për një betejë të gjatë ligjore mes UEFA-s dhe klubeve rebele, megjithatë Ceferin shprehet i bindur që kjo nuk do të ndikojë aspak në ecurinë normale të kompeticionit.
“Nuk mund të paralizojnë futbollin, pasi në Shoqatën e Klubeve Europiane bëjnë pjesë 244 klube dhe për tre skuadrat rebele ka një opinion shumë të keq. Ata kanë para, por nuk mund të bllokojnë ecurinë e futbollit. Janë kaotikë në kërkesat e tyre, pasi nga njëra anë thonë se nuk i ndalon kush të luajnë në Superligë dhe nga ana tjetër duan të luajnë edhe në Champions. Kështu nuk shkon”, tha kreu i UEFA-s.