“Rrëzimi” i Superligës Evropiane është ende një temë e nxehtë në botën e futbollit, por në anën tjetër një ide interesante është propozuar nga FIFA. Shtëpia më e madhe e futbollit në botë po sugjeron që Kupa e Botës të luhet çdo dy vite.
Në një intervistë me Record, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin shfaqi mendimet e tij rreth kësaj çështje.
Ai theksoi se kjo është ide politike, ndërsa nëse do të ketë Kupë Bote në vitin 2028, ekipet evropiane s’do të luajnë në të, pasi në atë vit është Kampionati Evropian.
“Është e pamundur, është një ide iracionale. Kupa e ardhshme e Botës pas vitit 2022 është në vitin 2026. Në vitin 2028 do të kemi Kampionatin Evropian, kështu që nëse ka Kampionat Botëror atë vit, ekipet evropiane s’do të luajnë. Me këtë calendar është e pamundur. Imagjinojeni çfarë do të ishte për lojtarët nëse do të kishin çdo vit turne një muaj të gjatë. Ata po pësojnë çdo ditë e më shumë lëndime tani, sepse po luajnë tërë kohën dhe kanë calendar të ngjeshur të ndeshjeve. Është ide politike, por që në realitet s’do të ketë asnjë përkrahje” – u shpreh Ceferin.
Kampionati Evropian do të zhvillohet këtë vit dhe nis më 11 qershor, pasi u shty vitin e kaluar për shkak të “shpërthimit” të koronavirusit në botë.