Republika Çeke ka kërkuar ndihmë nga tri shtete evropiane në lidhje me pacientët e prekur nga sëmundja Covid-19 për shkak të përkeqësimit të situatës.
Ministria e Shëndetësisë në Çeki tha të premten se kërkesa u bë për shkak të gjendjes kritike në spitalet e vendet, shkruan Reuters.
“Numri i madh i pacientëve të infektuar së fundi e ka shtuar trysninë ndaj sistemit shëndetësor dhe numri i pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim është duke u rritur”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.
Deri më tani, Republika Çeke ka regjistruar rreth 1 milion e 300 mijë persona të prekur nga Covid-19 dhe mbi 21 mijë të vdekur, sipas faqes “Worldometers”.
Vendet e Bashkimit Evropian janë të shqetësuara rreth përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit, sidomos variantit të identifikuar së pari në Britaninë e Madhe, për të cilin besohet se përhapet shumë më shpejt se varianti fillestar, transmeton Gazeta Express.
Kreu i Institutit gjerman për Sëmundje Ngjitëse “Robert Koch” ka thënë se varianti britanik mund të bëhet variant mbizotërues në Gjermani.