Republika Çeke njoftoi se do të lehtësojë tutje masat kundër Coronavirusit, pasi numri i të infektuarve në këtë vend mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.
Nga data 25 maj, autoritetet thanë se do të lejojnë tubime deri në 300 vetë.
Nga kjo datë do të hapen edhe restorantet, tha ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech.
Qendrat tregtare, kinematë, parukeritë dhe terracat e restoranteve janë hapur të hënën, pas gati dy muajsh të mbyllura.
Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, ka konfirmuar 8,352 raste me koronavirus dhe 293 viktima.
“Nëse situata epidemiologjike mbetet e favorshme, kufiri i tubimit të njerëzve do të rritet në 500 vetë më 8 qershor dhe në 1,000 vetë më 22 qershor”, tha Vojtech.
Lehtësime të tjera të masave të izolimit do të ndërmerren nëse numri i të infektuarve me koronavirus mbetet nën 100 brenda ditës, tha epidemiologu çek, Rastislav Madar, pjesë e një ekipi zyrtar të këshillimit.
Vizitat në spitale do të rifillojnë gjithashtu më 25 maj, megjithëse distanca fizike do të mbetet në fuqi.