Çekia ka regjistruar 4457 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, që është rekord në këtë vend. Është hera e parë që në Çeki është kaluar shifra e 4000 rasteve të reja brenda një 24 orëshi.
Infeksioni në Çeki është duke u rritur në ritmin më të shpejtë në Evropë, shkruan agjencia Reuters.
Shifra e rasteve të reja me koronavirus ka kaluar rekordin e të martës, ku u regjistruan 3.794 raste. Numri total i rasteve në Çeki ka arritur në 90.022.
Gjatë dy javëve të fundit, Çekia ka regjistruar 326.8 raste për 100 mijë banorë, duke e kaluar për herë të parë Spanjën, që ka 302.4 raste për 100 mijë banorë, sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalim dhe Kontrollim të Sëmundjeve.
Ukraina e Bullgaria po ashtu kanë njoftuar për rekorde të rasteve të reja me koronavirus.
Ukraina ka regjistruar 4753 raste të reja në 24 orët e fundit. Shifra totale e të infektuarve ka arritur në 239.337, ndërsa 4597 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet, përfshirë 77 në 24 orët e fundit.
Bullgaria në anën tjetër ka regjistruar 436 raste me koronavirus në 24 orët e fundit, që është rekord ditor në këtë vend. Numri total i të infektuarve me koronavirus në Bullgari ka arritur në 22.306, ndërsa 862 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet, përfshirë tetë në 24 orët e fundit.
Në Gjermani në 24 orët e fundit janë shënuar 2828 raste të reja me koronavirus dhe 16 të vdekur, ndërsa në Rusi 11.115 raste të reja e 202 të vdekur.