Qeveria e Republikës Çeke ka marrë vendim për karantinë në tërë territorin e vendit për shkak të përhapjes së coronavirusit.
Kryeministri i këtij shteti të Evropës Qendrore, Andrej Babis, e bëri të ditur këtë lajm gjatë një konference për gazetarë, pas takimit të jashtëzakonshëm me kabinetin qeveritar.
Ai tha se njerëzit kanë të drejtë të dalin nga shtëpitë dhe banesat vetëm kur shkojnë në punë, në spital ose kur kanë nevojë të blejnë ushqim dhe ilaçe, shkruan “Anadolu”.
Ndërkohë ministri çek i shëndetësisë, Adam Vojtech, tha se numri i rasteve të konfirmuara të personave të infektuar me coronavirus ka shkuar në 239.
Republika Çeke e shpalli gjendjen emergjente të enjten e kaluar si masë parandaluese për përhapjen e mëtejme të virusit Covid-19, i cili fillimisht u shfaq në Kinë në fund të vitit të kaluar.
Masa të ashpra të izolimit tashmë kanë marrë edhe vendet fqinje të Çekisë. Austria i ka ndaluar tubimet me më shumë se pesë persona, ndërsa Gjermania i ka mbyllur kufijtë me disa shtete.