Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, tha se mbrëmë në Rumani u mbrojt shteti i Kosovës dhe se racizmi nuk ka vend në sport.
“E papranueshme dhe e trishtë ajo që ndodhi në Bukuresht në ndeshjen mes Kosovës dhe Rumanisë. Sërish mesazhe politike e brohoritje provokuese nga tifozëria rumune. Qëndrojmë prapa djemve të Kosovës. Ngjarja e djeshme shkel thellësisht vlerat e sportit, i cili duhet të shërbejë për bashkim dhe jo për nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes”, ka shkruar Çeku në Facebook
Ministri i Sportit ka dënuar çdo formë të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit tonë dhe ka apeluar për masa nga institucionet ndërkombëtare të futbollit, për të mbrojtur integritetin e ngjarjeve sportive dhe për të ruajtur respektin dhe dinjitetin mes shteteve.
“Ofrojmë gjithashtu mbështetjen tonë të plotë për Federatën e Futbollit të Kosovës të cilët kanë nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s”, ka theksuar Hajrulla Çeku.