Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se nuk ka pasur komunikim ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për organizimin e Kampionatit Evropian 2027, për grup moshat deri në 21 vjeç, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse, Çeku theksoi se Kosova e ka parë partner Shqipërinë kur fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, ai njoftoi se nuk kanë pasur asnjë informatë për këtë aplikim të Shqipërisë.
Çeku ka hedhur poshtë pretendimet se Kosova është anashkaluar për shkak se nuk posedon infrastrukturën e nevojshme.
“Është një situatë e pakëndshme dhe nuk dua të tingëllojë kritik ndaj Shqipërisë, por faktet duhet thënë. Ne si MKRS nuk jemi kontaktuar për organizim të tillë, pra ne kemi kuptuar kjo gjë po ndodh kur është publikuar kërkesa. Nëse flasim për vitin 2027 ne deri atëherë do t’i kemi disa stadiume të kategorive të larta që janë të gatshme për lojë dhe këtë po e them dhe këtë po e them me dinamikën e lojërave që po zhvillohen tani, është analizë e bazuar e nuk është premtim elektoral”, u shpreh Çeku.
Ai po ashtu tha se brenda dy viteve Kosova do të kemi disa stadiume të kategorive të larta.
“Dinamika e punëve në teren si po zhvillohen dhe afatet e përmbylljes na tregojnë që brenda dy viteve ne do t’i kemi disa stadiume të kategorive të larta që janë të gatshme dhe besoj që me këtë, ne do ta kishim plotësuar edhe kushtin e nevojshëm minimal për të qenë bashkë-organizatore e këtyre lojërave”.