Çeku në Bienalen e Venedikut: I vetmi shtet nga vendet e Evropës me çmim të fituar, është Kosova

Prishtinë | 21 Pri 2024 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se Kosova është i vetmi shtet i Evropës që këtë vit ka fituar çmim në Biennalen e Venedikut.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Kosova këtë ditë shënon historinë duke pranuar shpërblim si përfaqësim shtetëror për herë të parë.

“Ditën e nisëm në selinë e Bienales së Venedikut, brenda sallës historike ku për 60 vjet janë ndarë çmime për artin dhe artistët më të mirë të botës. Republika e Kosovës këtë ditë do të shënonte historinë duke pranuar shpërblim si përfaqësim shtetëror për herë të parë. Për kontekst dhe perspektivë, nga të gjitha shpërblimet e fituara këtë edicion, i vetmi shtet nga vendet e Evropës me çmim të fituar, është Kosova”.

“Doruntina, Erëmira e Hana, nga podiumi ku pranonin mirënjohjen, reflektonin shumë porosi. Tregimin e zakonshëm të grave të jashtëzakonshme në realitetin e vështirë të punës dhe shtëpisë. Fuqinë e gjithë ekipit të pavijonit, plot profesionalizëm dhe vetëmohim. Dëshirën e flaktë për t’i treguar botës sa shumë potencial dhe energji jeton brenda nesh. Dhe që Republika e Kosovës është këtu për të vazhduar së qenuri gjithmonë”, ka shkruar Çeku.

Tutje, ministri ka uruar të gjithë për këtë fitore.

“Festën e vërtetë e mbajtëm në shtëpinë e pavijonit tonë, në ndërtesën Museo Storico Navale, ku bashkë me ekipin e pavijonit, familjarët, miqtë dhe komunitetin e artit nga Kosova që kishte ardhur për mbështetje, ngritëm dolli për këtë sukses të madh, dhe për të gjitha mundësitë e reja që do të hapen nga ky moment i rëndësishëm. Urime të gjithëve, e faleminderit Dori, Era dhe Hana”, ka thënë Çeku.

Të ngjashme