Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku thotë se ka përfunduar saga katër vjeçare e Kompleksi i Banimit Emingjiku i cili akomodon Muzeun Etnologjik.
Ai tha se për shekuj me radhë, ky kompleks ka ruajtur me fanatizëm shkëlqimin e vlerave estetike, duke bartur kujtesën kolektive nga brezi në brez.
“Fatkeqësisht, ky aset jashtëzakonisht i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, për katër vite me radhë ishte lënë në mëshirë të kohës, duke u rrezikuar të shembet në çdo moment. Fal angazhimit maksimal të ekipit të profesionistëve nga fusha e trashëgimisë kulturore, ndërhyrjet restauruese që filluan në gusht të këtij viti, po i afrohen finalizimit, duke i kthyer hijeshinë dhe vlerat e trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ai.
Çeku tha se pas përfundimit të ndërhyrjeve restauruese, do të vazhdohet me hartimim e konceptit të ekspozitës permanente, përcjell Klankosova.tv.
“Pas përfundimit të ndërhyrjeve restauruese, do të vazhdojmë me hartimim e konceptit të ekspozitës permanente, dhe në vijim edhe trajtimin e ndërtesave tjera në kuadër të kompleksit. Në këtë mënyrë, këto vlera të trashëgimisë kulturore do të vazhdojnë të ruhen, të prezantohen dhe të barten për brezat e ardhshëm”, tha Çeku.
Ai gjithashtu tha se Kompleksi Emingjiku bart në vete vlera të rëndësishme historike, artistike, shoqërore e ekonomike.
“Kompleksi Emingjiku bart në vete vlera të rëndësishme historike, artistike, shoqërore e ekonomike. Aty gërshetohen dëshmitë e mënyrës tradicionale të jetesës gjatë shek.18-19, mjeshtëria e artizanëve në projektim të hapësirave të veçanta të banimit, ku funksioni privat dhe shoqëror shtrihen në harmoni me oborrin. Ndërsa është ndër shembujt nismëtar të adaptimit të ndërtesave të trashëgimisë kulturore në funksione kulturore e publike, siç është rasti i shndërrimit të këtij kompleksi të banimit në Muze të Natyrës”, ka shkruar Çeku.
Tutje, Ministri Çeku tha se do të bëjnë çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.