Çeku: Stadiumi i rinovuar “Fadil Vokrri”, gati të mirëpresë ndeshjet e mëdha

Prishtinë | 28 Gus 2024 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Me investimin e ri, stadiumi “Fadil Vokrri” është gati të mirëpresë ndeshje të mëdha me një fushë që plotëson standardet më të larta ndërkombëtare.

Kështu u shpreh ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ai theksoi se fusha e re është ndërtuar duke përdorur sistemin hibrid, i cili është fjala e fundit e teknologjisë në botë.

Ky sistem, sipas tij, garanton qëndrueshmëri dhe performancë të lartë të fushës në çdo kusht atmosferik.

“Përveç sistemit hibrid, stadiumi tani ka një sistem të përparuar të drenazhimit dhe ngrohjes, i cili siguron që fusha të jetë gjithmonë në gjendje optimale për lojë. Pajisjet e specializuara për mirëmbajtje janë blerë, dhe stafi është trajnuar për tu siguruar që fusha të mbetet në kushte të përsosura për çdo ndeshje”, deklaroi ministri Çeku në një postim në Facebook.

Ai tha se ky investim ka kushtuar 1.3 milion euro dhe është investim i përbashkët me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ky investim, tha Çeku, u realizua nga një kompani e certifikuar nga FIFA, me përvojë të gjerë në ndërtimin e fushave hibride në të gjithë botën.

“Në shtator, stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të presë ndeshjen e parë të Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror”, theksoi ministri Çeku.

Të ngjashme