Çeku thotë se Manastiri i Banjskës u dëmtua të dielën nga terroristët serb

Prishtinë | 27 Sht 2023 | 10:48 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku tha se Manastirit i Banjskës ka pësuar dëmtime pas sulmit të së dielës nga një grup kriminal serb ndaj Policisë së Kosovës.

“Besojë thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi dhe urdhërdhënësve të tyre kanë qen që përveç dëmtimit fizik, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë”, tha Çeku.

Sipas ministrit, terroristët serbë kanë përdorur një aset të trashëgimisë kulturore për të kryer sulmet dhe për të mbajtur armatimin e tyre.

“Sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë përveç që ia mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm , atë të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale. Manastiri Ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit është monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligje të Kosovës përdorë si strehë nga grupi terrorist, përfshirë armatimin e tyre”, tha ai.

Ai dha detaje historike për këtë Manastir.

“Për dijeni të të gjithëve, Manastiri i Banjskë u ndërtuar në pjesë e parë të shekullit XIV mbi rrënojat e një kishe të vjetër, të hershme, paleokristian, teksa supozohej se në atë vendbanim gjendej edhe një vendbanim antik romak, pasi që aty janë gjetur shkrime të periudhës romake. Terroristet kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën e këtij Manastiri”, deklaroi Çeku.

Fjala e Ministrit:

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar kolegë,

Sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që ia mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës, kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm, atë të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale. Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Republikës së Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist përfshirë armatimin e tyre.

Për dijeninë e të gjithëve, Manastiri i Banjskës u ndërtua në pjesën e parë të shekullit XIV, mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme paleokristiane, ndërsa supozohet që në atë lokacion gjendej edhe një vendbanim antik romak pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike të periudhës romake.

Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi por edhe i urdhërdhënësve të tyre ka qenë që përveç dëmit fizik në Manastir të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndër-fetare dhe ndër-etnike në Kosovë.

Qeveria e Kosovës deri tash ka dhënë dëshmi të panumërta të vullnetit për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse. Vetëm para më pak se tre muaj, bashkë me partneret ndërkombëtarë kemi përfunduar restaurimin e tri kishave ortodokse në Kosovë.

Ministria e Kulturës tashmë ka kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje sanuese edhe në manastirin e Banjskës. Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve.

Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale me qëllim sanimin e dëmeve në strukturën fizike të këtij manastiri.

Gatishmëria dhe vullneti ynë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në nivelin të lartë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e cila në rastin e objekteve të kultit duhet t’i shërbejë besimtarëve, të fuqizojë harmoninë ndërfetare e ndëretnike dhe jo të përdoret për qëllime kriminale dhe destabilizuese për Republikën e Kosovës.

Më lejoni që në fund t’i shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia te sinqerta familjes Bunjaku për humbjen e më të dashurit të tyre, heroit Afrim Bunjaku.​

Të ngjashme