Gazetari Zenun Çelaj ka përshkruar periudhën kur për thirrjen “Kosova Republikë”, njerëzit në Kosovë burgoseshin.
Duke folur në emisionin “Desku” në KTV, Çelaj ka treguar edhe për mbylljen e dhunshme të Rilindjes dhe të Radio Televizionit të Prishtinës e po ashtu për kuvendin historik në Kaçanik.
“Kosova Republikë u bë parullë e të gjithëve, edhe e fëmijëve, fëmijëve nëpër shkolla. Ata nuk nguronin më të shkruanin kudo nëpër rrugë, nëpër mure, Kosova Republikë. Kjo më pas u shndërrua në vepër penale. Shumë të rinj e shumë njerëz kanë vuajtur edhe burg për këtë”, ka thënë Çelaj.
Veterani i gazetarisë, që ishte pjesë e gjithë këtyre proceseve, ka treguar kur policët “pushtuan” objektin e Rilindjes.
“Na lajmëruan nga recepcioni se po hynin në objekt numër i madh policësh. Ndodhi kjo më 5 korrik, kur ishte vendosur nga Qeveria e Serbisë që të mbyllte dhe të shpërndante Kuvendin, Qeverinë e Kosovës, televizionin, janë ato skenat kur me dhunë e marrin komandën në televizion. Te ne erdhën, por i shpëtuam dhunës. Objekti është i madh dhe ne lëviznim. Na lajmëronte dikush, ‘largohuni se po vinë në këtë kat”. Në katin e tretë, jo të katërtin, jo të pestin. Ata dikur u kthyen dhe ne vazhduam, nxorëm gazetën. Nuk na kanë penguar më për disa ditë rresht, edhe pse shkrimet kanë qenë shumë kritike, ndaj gjithë asaj që bëhej nga politika e Beogradit”, ka shtuar Çelaj.
Çelaj ka dhënë detaje edhe për shkrimin e kushtetutës, e po ashtu për largimin e deputetëve nga Kosova.
“Menjëherë pas Deklaratës Kushtetuese, në takimet e Këshillit Koordinues të partive politike dhe të shoqatave, erdhi propozimi që kuvendi, delegatët, të vazhdojnë të nxjerrin kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kishte dal edhe Akademia e Shkencave me idenë që pas Deklaratës Kushtetuese të nxirrej edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. U kërkua që delegatët të përgatisin Kushtetutën, formohet një grup juristësh që ndanë punët për hartimin e Kushtetutës. Ajo Kushtetutë është hartuar kryesisht në shtëpinë e Xhevdet Shoshit në lagjën Velania, ku ishte rektorati një kohë. Por edhe në shtëpitë e të tjerëve”.
Çelaj ka treguar se delegatët nuk e kanë ditur deri në atë ditë se do të mbahej takimi në Kaçanik më 7 shtator. Ilaz Ramajli, kishte marrë përsipër organizimin në shtëpinë e kulturës në Kaçanik. Vendi ku është mbajtur Kuvendi i Kaçanikut nuk është as 100 metra larg stacionit të policisë. Mbledhja ka filluar në ora tetë të mbrëmjes.
“Në një holl pa dritare. Në objektin afër Lepencit”, ka kujtuar Çelaj.
“Kur kam shkuar, kam pasur rregullat se si duhet të arrijë, pasi kishte frikë se mos është zbuluar vendi dhe koha ku do të ndodhte mbledhja e Kaçanikut”.
Doajeni i gazetarisë ka treguar për telashet e delegatëve pas mbledhjes. Edhe të tij personale. Ka mohuar mundësinë që policët të kenë qenë të painteresuar për të penguar punimet e kuvendit.
“Nuk ishin të painteresuar policët, pasi ndërkohë kanë arrestuar delegatët shqiptarë, disa që janë ekspozuar më shumë si Adem Mikullovci e të tjerë. U shpallën flet-arreste, u caktua vendi ku do të gjykoheshin, diku në Valevë. Më patën arrestuar edhe mua, po për këtë arsye. Nuk kanë qenë të painteresuar që të ndalin të mos ndodhë kjo. Por luajtën rolin sikur nuk po na intereson shumë kjo. Delegatët, shpesh kam dëgjuar të thonë se ikën për të mos u arrestuar. Nuk është kështu. Ka qenë marrëveshje e kryesisë së asaj pjese të kuvendit, Ilaz Ramajli dhe të tjerët, që delegatët të largohen përkohësisht nga Kosova, në mënyrë që mos të ndodhë rastësisht që të marrin ndonjë, ta torturojnë dhe ta detyrojnë të thotë se e kanë detyruar me zor pasi unë nuk votoj për Kushtetutën e Kaçanikut. Një pjesë e madhe e tyre mbetën në Slloveni e Kroaci. Më pas u kthyen në Maqedoni ku në vitin 1993 i mblodhi të gjithë, i ktheu këtu, por nuk i mbajtën”, ka kujtuar Zenun Çelaj.
Doajeni i gazetarisë, Zenun Çelaj, në 30-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, përmes së cilës Kosova u shpall njësi e veçantë nga deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, ka përshkruar gjithë rrugën që i ka paraprirë këtij vendimi.
Në Deskun e KOHËS, Çelaj ka kujtuar aktin që shënohet si pikënisje e pavarësimit të Kosovës.
Sipas tij, gjithçka nisi më 1980 kur Josip Broz Tito, ish-presidenti i Jugosllavisë, ishte i sëmurë dhe pritej vdekja e tij.
“Gjithçka konsideroj se nisi më 1980 kur Tito ishte i sëmurë dhe pritej vdekja e tij. Të gjithë prisnin të ndodhnin ndryshime radikale, ashtu edhe ndodhi. Pushteti që frymonte në politikat e Titos, ndërmori shumë kufizime, po vdiste Tito! Ndodhi vdekja dhe Beogradi nisi të realizojë konceptet e tij, të rikthejë sundimin që ka pasur dhe trajtimin e shqiptarëve qysh në kohën e Jugosllavisë. Filloi propaganda e Serbisë që të demonizojë shqiptarët, të konsideronte profilin e shqiptarit si vrasës e diskriminues. U aktivizua i gjithë mekanizmi propagandues i Serbisë. Kjo filloi atëherë e më pas filluan demonstratat. Ishte një barometër i studentëve. Ishin më të ndjeshmit. Shpërtheu një demonstratë nga një moment krejtësisht i parëndësishëm, nga një pjatë në mensë. Kjo i konvenoi atë kohë Serbisë që kishte paralajmëruar se shqiptarët po përgatisin kryengritje e rrëzim të pushtetit e po duan t’i bashkohen politikës staliniste-enveriane”, ka kujtuar ai.
Çelaj ka kujtuar se në atë kohë Serbia kishte krijuar para perëndimit profilin e shqiptarëve si njerëz terroristë dhe kjo kishte nxitur kundërshtime të mëdha në Kosovë.
“Pas vitit ’81, filluan grevat, marshet nga të gjitha pjesët e Kosovës që s’pajtoheshin me një politikë që po ndodhte. Kam qenë i pranishëm në grevën e minatorëve të Trepçës. Rrija terr e errët. Pjesa më e madhe e tyre ishin të vendosur të vdesin, të bëhen viktima të një ideje që të mbrojnë një status të Kosovës. Përpiqeshin të ndërronin raportet që po e çonin Kosovën në një pellg pa shpresë. S’mendoj se ka pas iluzione dikush se Kosova do të mund të pavarësohej apo të vinte në pozitë që është sot, por ishte puna që të paktën të ruhej statusi që kishte në Federatën Jugosllave në bazë të Kushtetutës së 74-s, që Kosovën e trajtonte gati si republikat tjera. Këtë donte ta ndryshonte Serbia dhe përpiqej të gjente në çdo moment shkakun që të ndërhynte. Shpallte gjendje të jashtëzakonshme shpesh pa qenë nevoja, orë policore e i mbyllte shkollat sepse rinia ishte më revolucionare. Krijonin pakënaqësi kolektive”, ka shtuar ai.
Çelaj ka kujtuar se me nisjen e ndryshimeve në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë edhe në Kosovë u ndërmorën iniciativat e guximshme për ndryshime.
Për natën e 2 korrikut të 1990-s, kur u shpall Deklarata Kushtetuese, Çelaj ka kujtuar se kishte marrë kërcënim paraprakisht dhe se në kohën e shpalljes ishte në Polici me shumë aktivistë të tjerë.
Ai ka theksuar se në deklaratën e shkruar nga akademiku Gazmend Zajmi ishin gjashtë pika. Sipas tij, pro votuan rreth 115 delegatë, teksa ka thënë se në kohën e shpalljes ka pasur “debate të zjarrta e me dyer të mbyllura”.
“Kjo ka parahistorinë e vet. Përbërja para këtij formacionit të Kuvendit, që diku është miratuar në fund të dhjetorit të 89-shit. U desh të votonte për ndryshimet kushtetuese të Kosovës, praktikisht heqjen e autonomisë, edhe pse nuk formulohej kështu. Një numër delegatësh kundërshtuan e të tjerët ose kanë munguar ose kanë votuar për ato ndryshime. Bëhet fjalë për delegatët e para Kuvendit të 2 korrikut. Zgjodhëm përbërje tjetër që një kohë quheshin delegatët e Rrahman Morinës. Nuk dolën të ishin. Ishin të ndërgjegjësuar. Krejtësisht e kundërta. Këta filluan procedurat dhe në përputhje me ligjet në fuqi që të shfuqizonin vendimet që konsideroheshin të padrejta dhe anti-shqiptare”, ka thënë tutje ai.