Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj, ka marr pjesë në konferencën me titull “Bilding Integrity For Senior Leaders”e organizuar nga Departamenti i Mbrojtjes së Qeverisë Britaneze dhe e mbështetur nga ambasada e Britanisë.
Gjatë fjalës së tij, Zëvendësministri Çelaj, theksoi se një nga kapacitetet inherente të çdo qenieje njerëzore është edhe aftësia e saj për aksion politik.
“Përmes kësaj veçorie që disa mendimtarë të mëdhenj e quajnë një “mrekulli” politike, ne kemi mundësinë që çdo herë të fillojmë një veprim të ri, të frenojmë një të keqe që na pushton dhe të korrigjojmë gabimet që mund të kenë ndodhur në të kaluarën. Falë kësaj aftësie ne e demostrojm lirinë tonë dhe mundësinë për të mos mbetur robër të një forme të pandryshueshme njerëzore. Duke punuar së bashku dhe me një vendosmëri titanike në luftën kundër korrupsionit e në shërbim të interesit të përgjithshëm publik, ne mund të bëhemi shtylla e një rendi të lirë, të drejtë dhe demokratik” tha Zëvendësministri Çelaj.
Çelaj gjithashtu theksoi se korrupsioni sot përbën kancerin e shumë problemeve të një shoqërie me ç ‘rast tentakulat e tij asfiksojnë frymëmarrjen saj. Ai tha se në aspektin ekonomik ai shkatërron mundësitë për punë produktive dhe frenon ngritjen ekonomike dhe kështu i mban të varfëritë në mjerimin e tyre, rrënon stabilitetin dhe shndërrohet në potencial destruktiv për rendin, madje në ushqim edhe për fenomene fatale siç është terrorizimi. Për më tepër ai “stimulon dhe më të mirët që të kalojnë kohën duke e manipuluar sistemin, në vend të inovimit dhe krijimit të pasurive të tyre”.
Zëvendësministri tha se në aspektin politik, korrupsioni sot minon edhe legjitimitetin e sistemeve politike. Ai gërryen themelet e demokracisë dhe rrënon shpresat në ofertën e saj. Sepse në vend të konkurrencës së ndershme, korrupsioni afirmon manipulimin dhe mashtrimin e vullnetit qytetar të një shoqërie.
Që të realizohet ky objektiv, që shteti ynë të funksionojë sipas standardeve të mirëfillta demokratike dhe që të jetë në mesin e atyre vendeve që dallohen pikërisht nga aftësia për të ofruar një cilësi qeverisëse, i cili do të ishte në shërbim të të gjithëve, na nevojiten masa efektive e konstante. “Të vetëdijshme për rëndësinë jetike që ka kjo betejë, institucionet e Republikës së Kosovës deri me tani kanë krijuar një kornizë institucionale dhe ligjore për t’u ballafaquar me këtë problem. Kështu më lejoni që shkurtimisht të veçoj vetëm disa nga këto masa”, tha Çelaj.
Gjatë kësaj konference, zëvendësministri Ҫelaj, sugjeroj edhe pika me rendësi të cilat sipas tij konsiderohen si pjesë qenësore e investimit në përmirësimin e infrastrukturës së gjithanshme në këtë luftë të pakompromis që duhet të bëhet ndaj kësaj të keqe të këtij shekulli e në të cilat pika përfshihen këto rekomandime.
“Të veçohen dhe vlerësohen rreziqet e korrupsionit brenda sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë, të identifikohen dhe vlerësohen rreziqet e korrupsionit brenda menaxhmentit të burimeve njerëzore, të identifikohen dhe vlerësohen rreziqet e korrupsionit brenda menaxhmentit publik financiar, të kuptohet dhe vlerësohet rreziku i korrupsionit në rrethin e prokurimit, rreziku brenda operacioneve dhe misioneve civile, të vlerësohet trajtimi i korrupsionit , roli i medias dhe efekti i komunikimit strategjik, të kuptohet korniza ligjore dhe të zhvillohen dhe mirëmbahen strategjitë dhe planet që mund ta zvogëlojnë rrezikun e korrupsionit”.
Zëvendësministri në fjalën e tij e përmbylli duke i uruar suksese kësaj konference me shpresën që puna dhe angazhimi në këtë drejtim të ketë rezultate konkrete dhe të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm shoqëror.