Anëtari i Këshillit drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj, ka thënë se qëndrimi i subjektit që ky përfaqëson, për mospërkrahjen e Vjosa Osmanit në zgjedhjen e saj Presidente, ishte i duhur dhe në nivel.
Sipas tij, Vjosa Osmani ishte shkaktare e rrëzimit të dy qeverive dhe nuk kishte të drejtë morale të kërkonte përkrahje meqë ajo vazhdimisht akuzonte dhe ofendonte PDK-në.
”Ky është qëndrim që është diskutuar në Këshillin Drejtues të PDK-së, dhe ka ekzistuar njëfar disponimi që të mos përkrahet Vjosa Osmani për Presidente.
Arsyet tanimë dihen, sepse në një mënyrë ajo është ngritur duke akuzuar dhe ofenduar PDK-në. Është ngritur duke bërë obstruksione, madje as qeverinë e subjektit të vet që i ka takuar, nuk e ka votuar, ka qenë në një mënyrë shkaktare e rrëzimit të dy qeverive, dhe nuk kishte të drejtë morale të kërkonte një përkrahje të tillë.
Ka qenë reagim normal i PDK-së. Presidenti, sidomos në këto rrethana kur kemi një subjekt që ka një shumicë mbi 50%, do duhej të ishte një president konsensual, që të mos koncentrohet pushteti vetëm në një subjekt politik”.
Megjithatë i siguruan votat e mjaftueshme?
”Kjo nuk është hera e parë që sigurohen votat kështu. Madje pikërisht për këtë ata ishin kritikë. Ata vazhdimisht kanë linçuar deputetët me vendime të tilla siç ndodhi mbrëmë.
Atëherë kur atyre nuk u ka pëlqyer vendimi, madje edhe deputetët e njëjtë që kanë ndërruar mendimin brenda natës, duke thënë se nuk bëjnë pazare politike dhe u dëshmua që edhe këta bëjnë pazare politike. Dëshmuan se as këta nuk ndryshojnë asgjë nga metodat, subjektet, kandidatët paraprak, sa i përket tregtimit me vota.
Në disa aspekte nuk është e keqe, por këta janë ngritur duke kritikuar këto dukuri, dhe kur e sheh që tash i përsërisin dalin kontradiktor, dalin me dy standarde dhe unë për vete nuk befasohen, por shpresoj që edhe qytetarët ta kuptojnë me kënd kanë të bëjnë”.
Ndërkaq lidhur me largimin nga PDK, të deputetes Adelina Grainca, Lirak Çelaj thotë se ky ishte një pazar mes saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
”Fillimisht nuk e di si e kemi fituar këtë deputete, për të pasur pastaj përgjigjien në atë se si e humbëm. Sepse edhe kjo është në vazhdën e kritikave që i kanë bërë vazhdimisht PDK-së, që në listë në këtë rast po futen njerëz të pasprovuar, të cilët s’kemi pasur mundësi t’i sprovojmë për aftësitë e tyre politike, për kontributin e tyre, por thjeshtë për interesa individuale, futen në parti. Por ky është çmimi që duhet të paguhet”.
”Dhe në një mënyrë nuk jam befasuar sepse këtë emër e kam dëgjuar për herë të parë pasi është zgjedhur deputete. Për të fituar votën e elektoratit, duhet të jesh një person që ke punuar, ke qenë aktiv me rrethin, komunitetin. Dhe nuk është që ja kemi dëgjuar emrin më herët”.
”Lë përshtypje që është një pazar mes subjektit të VV-së dhe kësaj. Unë në të kaluar këtë përvojë me Vetëvendosjen e kam pasur, dhe për këtë arsye jam befasuar me të tjerët kur kanë ofruar pozitën.
Mbi gjithë atë mbi të cilën u ngritën, mbi gjithë atë moral për mostregtim të votës, ata e bënë vazhdimisht, por mbrëmë e panë besoj e gjithë Kosova”.