Doajeni i gazetarisë, Zenun Çelaj, në 30-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, përmes së cilës Kosova u shpall njësi e veçantë nga deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, ka përshkruar gjithë rrugën që i ka paraprirë këtij vendimi.
Në Deskun e KOHËS, Çelaj ka kujtuar aktin që shënohet si pikënisje e pavarësimit të Kosovës.
Sipas tij, gjithçka nisi më 1980 kur Josip Broz Tito, ish-presidenti i Jugosllavisë, ishte i sëmurë dhe pritej vdekja e tij.
“Gjithçka konsideroj se nisi më 1980 kur Tito ishte i sëmurë dhe pritej vdekja e tij. Të gjithë prisnin të ndodhnin ndryshime radikale, ashtu edhe ndodhi. Pushteti që frymonte në politikat e Titos, ndërmori shumë kufizime, po vdiste Tito! Ndodhi vdekja dhe Beogradi nisi të realizojë konceptet e tij, të rikthejë sundimin që ka pasur dhe trajtimin e shqiptarëve qysh në kohën e Jugosllavisë. Filloi propaganda e Serbisë që të demonizojë shqiptarët, të konsideronte profilin e shqiptarit si vrasës e diskriminues. U aktivizua i gjithë mekanizmi propagandues i Serbisë. Kjo filloi atëherë e më pas filluan demonstratat. Ishte një barometër i studentëve. Ishin më të ndjeshmit. Shpërtheu një demonstratë nga një moment krejtësisht i parëndësishëm, nga një pjatë në mensë. Kjo i konvenoi atë kohë Serbisë që kishte paralajmëruar se shqiptarët po përgatisin kryengritje e rrëzim të pushtetit e po duan t’i bashkohen politikës staliniste-enveriane”, ka kujtuar ai.
Çelaj ka kujtuar se në atë kohë Serbia kishte krijuar para perëndimit profilin e shqiptarëve si njerëz terroristë dhe kjo kishte nxitur kundërshtime të mëdha në Kosovë.
“Pas vitit ’81, filluan grevat, marshet nga të gjitha pjesët e Kosovës që s’pajtoheshin me një politikë që po ndodhte. Kam qenë i pranishëm në grevën e minatorëve të Trepçës. Rrija terr e errët. Pjesa më e madhe e tyre ishin të vendosur të vdesin, të bëhen viktima të një ideje që të mbrojnë një status të Kosovës. Përpiqeshin të ndërronin raportet që po e çonin Kosovën në një pellg pa shpresë. S’mendoj se ka pas iluzione dikush se Kosova do të mund të pavarësohej apo të vinte në pozitë që është sot, por ishte puna që të paktën të ruhej statusi që kishte në Federatën Jugosllave në bazë të Kushtetutës së 74-s, që Kosovën e trajtonte gati si republikat tjera. Këtë donte ta ndryshonte Serbia dhe përpiqej të gjente në çdo moment shkakun që të ndërhynte. Shpallte gjendje të jashtëzakonshme shpesh pa qenë nevoja, orë policore e i mbyllte shkollat sepse rinia ishte më revolucionare. Krijonin pakënaqësi kolektive”, ka shtuar ai.
Çelaj ka kujtuar se me nisjen e ndryshimeve në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë edhe në Kosovë u ndërmorën iniciativat e guximshme për ndryshime.
Për natën e 2 korrikut të 1990-s, kur u shpall Deklarata Kushtetuese, Çelaj ka kujtuar se kishte marrë kërcënim paraprakisht dhe se në kohën e shpalljes ishte në Polici me shumë aktivistë të tjerë.
Ai ka theksuar se në deklaratën e shkruar nga akademiku Gazmend Zajmi ishin gjashtë pika. Sipas tij, pro votuan rreth 115 delegatë, teksa ka thënë se në kohën e shpalljes ka pasur “debate të zjarrta e me dyer të mbyllura”.
“Kjo ka parahistorinë e vet. Përbërja para këtij formacionit të Kuvendit, që diku është miratuar në fund të dhjetorit të 89-shit. U desh të votonte për ndryshimet kushtetuese të Kosovës, praktikisht heqjen e autonomisë, edhe pse nuk formulohej kështu. Një numër delegatësh kundërshtuan e të tjerët ose kanë munguar ose kanë votuar për ato ndryshime. Bëhet fjalë për delegatët e para Kuvendit të 2 korrikut. Zgjodhëm përbërje tjetër që një kohë quheshin delegatët e Rrahman Morinës. Nuk dolën të ishin. Ishin të ndërgjegjësuar. Krejtësisht e kundërta. Këta filluan procedurat dhe në përputhje me ligjet në fuqi që të shfuqizonin vendimet që konsideroheshin të padrejta dhe anti-shqiptare”, ka thënë tutje ai.