Zëvendësministri i Drejtësisë Lirak Çelaj ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Projekti kundër Krimit Ekonomik me temën “Rishikimi i Kornizës dhe Mekanizmave të Agjencisë Kudër Korrupsion”.
Gjatë këtij takimi, Zëvendësministri Çelaj ka ripërsëritur gatishmërinë dhe përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë në krijimin e politikave dhe legjislacionit adekuat për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin si dhe në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja Stabilizim Asociim (MSA), sidomos në adresimin e të gjeturave të Komisionit Evropian në Progres Raportet për Kosovën.
Zëvendësministri Çelaj tha se, Ministria e Drejtësisë ka themeluar Grupin Punues për përgatitjen e analizës së përputhshmërisë së legjislacionit penal dhe të fushës së anti-korrupsionit me legjislacionin e Bashkimit Evropian në të cilin grup janë angazhuar ekspert vendor dhe ndërkombëtar, të cilët kanë analizuar legjislacionin e BE-së dhe instrumentet ndërkombëtare që lidhen me politikat anti-korrupsion.
“Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar që të bëjë transpozimin e projektligjeve me legjislacionin e BE-së duke përgatitur Tabelat e Përputhshmërisë, të cilat japin detaje për dispozitat ligjore të cilat përmbushin obligimin e kërkuar me legjislacionin e BE-së dhe në përputhje me analizat e bëra Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm për nisma legjislative që përfshijnë fushën penale dhe anti-korrupsionit” tha Zëvendësministri Çelaj.
Në fund të fjalës së tij, Zëvendësministri Çelaj ka falënderuar BE-në dhe Këshillin e Evropës për kontributin e tyre në fushën kundër korrupsionit përmes fazës së parë dhe të dytë të “Projektit kundër Krimit Ekonomik (PECK I dhe II)”, duke shprehur njëherit përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të kontribuar në të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me politikat dhe legjislacionin e fushës kundër korrupsionit.