Çelaj: S’jam i vetmi, shumica e Këshillit Drejtues duan shkarkimin e Kryesisë

Prishtinë | 26 Mar 2021 | 08:42 | Nga Përparim Bublaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj ka thënë se kësaj partie i duhet ndryshim në konceptin e vendimmarrjes ku respektohet organet e partisë, pasi sipas tij, kjo parti aktualisht është e uzurpuar nga disa individë, raporton Ekonomia Online.

Çelaj tha se PDK-ja ka mbetur pa kauzë dhe duhet të dilet më qëndrime dhe për atë se për çfarë angazhohet.

“PDK-ja ka mbetur pa kauzë e ka humbur atë, e ka pasur një kauzë të saj dhe unë mendoj se duhet të orientohemi të dalim më qëndrime se për çka angazhohet PDK-ja cilat janë synimet e saj në rrafshin kombëtarë dhe të tjera. Tash si po qeveriset PDK-ja është e uzurpuar nga disa individë, dhe ata përveç që angazhohen për pozitat e tyre nuk angazhohen për diçka më të madhe për çështje të interesit nacional e aq më pak për partinë”, tha Çelaj për Ekonomia Online.

Ai ka thënë në PDK duhet të ketë ndryshim të qeverisjes në parti ku respektohen organet e partisë e nuk merren vendimet nga disa individë.

“Duhet të ndryshojë koncepti i qeverisjes, sepse deri tash vetëm individ kanë marrë vendime dhe organet tjera janë shpërfillë ose janë trajtuar formalisht,  Kryesia, Këshilli Drejtues po edhe në nivelin e degëve. Pra të ndërrojë koncepti i vendimmarrjes ku të gjithë ne jemi pjesëmarrës në marrjen e vendimeve  të mëdha”, tha ai.

Çelaj thotë se nuk është i vetmi që kërkon ndryshime në parti dhe përgjegjësi për rënien e PDK-së në tri palë zgjedhjet e fundit.

Sipas tij, ka shumë anëtarë të Këshillit Drejtues dhe një pjesë të Kryesisë aktuale që e përkrahin atë, për shkarkimin e Kryesisë së PDK-së.

“E thënë më përgjegjësi që shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe një pjesë e Kryesisë më të cilët kam kontaktuar janë pro kësaj ideje. Për rënien e  PDK-së në vazhdimësi në tri zgjedhjet e fundit dikush duhet të marrë përgjegjësi. Shumë prej këtyre figurave që sot janë në udhëheqje kanë qenë edhe atëherë në udhëheqje dhe kanë përgjegjësi. Dikush duhet të marrë përgjegjësi morale para strukturës para elektoratit dhe para opinionit”, ka thënë ai.

Përkundër mospajtimeve për mënyrën se si po drejtohet partia, ai pajtohet më qëndrimin e partisë sa i përket votës kundër Vjosa Osmanit për Presidente.

Sipas tij, Osmani edhe pse ka marrë numër të madh të votave nuk është figurë unifikuese për të parin e vendit.

“Vjosa Osmani ka qenë shumë përçarëse dhe konfliktuoze, po mbi të gjitha meqë Vetëvendosje dhe pjesë e saj ka qenë edhe Vjosa Osmani ka fituar shumicën, mendoj që nuk do të ishte e shëndetshme për demokracinë që t’i kishte një subjekt politik të gjitha institucionet”, tha Çelaj.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues, Lirak Çelaj kishte propozuar mocion mosbesimi nga Këshillit Drejtues, por që më pas e kishte tërhequr pasi siç kishte pakënaqësisë si kjo pikë u tentua të futej në rend dite.

Të ngjashme