Zëvendës ministri i Ministrisë së Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, me bashkëpunëtorë, në vizitën zyrtare në Suedi, pati pritje në Sekretariatin Koordinues për Bashkimin Evropian, pranë Zyrës së Kryeministrit të Suedisë, ku takoi Jan Olsson, me të cili diskutoi për procesin integrues, me fokus në liberalizimin e vizave, njofton kumtesa.
Çelaj vuri në dukje përkushtimin e institucioneve qendrore dhe lokale për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjendën Evropiane të Reformave si dhe pritshmëritë e qytetarëve tanë, pas plotësimit të të gjitha kritereve për liberalizim nga udhërrëfyesi.
“Suedia ka qenë përkrahëse e Kosovës në të gjitha proceset dhe sfidat, si para luftës kur priti shumë bashkë atdhetarë tanë ashtu edhe gjatë luftës dhe pasluftës në ndërtimin e shtetit tonë. Suedia përkrah edhe sot Republikën e Kosovës nëpërmjet organizatave humanitare dhe fondeve të drejtpërdrejta, duke fuqizuar institucionet e Kosovës, demokratizimin si dhe të drejtat e njeriut, për çka u jemi shumë mirënjohës”, potencoi Çelaj, dhe shtoi se kjo mbështetje do të vazhdoj edhe më tej, për Mbledhjen e Këshillit të Ministrave si dhe në kandidaturën e ardhshme të Kosovës për statusin kandidat për anëtarësim në BE.
Olsson rikonfirmoi përkrahjen e Suedisë për Kosovën në proceset dhe sfidat aktuale, duke vënë theksin në jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe për fuqizimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit si dhe sektorët tjerë të rëndësishëm për institucionet e Kosovës.
Çelaj, pati takim edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku u prit nga Znj. Anna-Karin Eneström, Drejtoreshë për Çështjet Politike si dhe në Ministrinë e Drejtësisë ku u prit në takim nga Znj. Anna-Carin Svensson, Drejtoreshë e Përgjithshme për Çështjet Ndërkombëtare.
Në Delegacion me Z. Çelaj ishin të pranishëm edhe Kushtrim Cukaj, Sekretar i Përhershëm i Ministrisë së Integrimit, Agron Hoti, Këshilltar politik si dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës në Suedi, Sedat Burrniku dhe Valon Xhaferi.