Është prej të parëve që ka vendosur për Kosovën, por vonë ka fituar besimin e plotë në përfaqësuesen “dardane”. Mesfushori ofensiv, Bersant Celina, të hënën ka shkëlqyer në fitoren 2:0 të Kosovës ndaj Malit të Zi.
Celina ka asistuar në golin e parë të shënuar nga Amir Rrahmani, ndërsa ka krijuar raste të tjera dhe ka dhënë plot nëntë pasime të cilësuara si vendimtare, shkruan sot Koha Ditore.
Me Celinën, Kosova ka në përbërje organizatorin e lojës që shquhet për nga qetësia kur e ka topin në pronësi, e kontrollon pa telashe atë dhe jep pasime “si me dorë” për lojtarët e tjerë. Këto elemente e kanë shquar Celinën që prej fillimit të karrierës, ndonëse ai është në fazë të hershme të saj.
23-vjeçari që bën karrierë te Swansea City në kategorinë e dytë angleze, ndaj Malit të Zi luajti në pozitën e mesfushorit ofensiv. Ka qenë rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen e Malit të Zi, që pak ka bërë ndaj tij.
Për Celinën ishte ndeshja e 17-të me Kosovën. Ai ka dy gola deri më tash. Golat i ka shënuar në miqësore, por në ndeshje kualifikuese vlerësohet se ka shfaqur cilësi të tjera.
Celina ndaj malazezve është zëvendësuar fare në fund, kur ndeshja ishte vendosur tashmë. Ndaj Gjibraltarit, javën e kaluar, u la i lirë, ndërsa ka kompletuar ndeshjet me Anglinë, Çekinë dhe Bullgarinë. Ka startuar edhe në ndeshjet e tjera të këtij viti, me Malin e Zi, Bullgarinë e Danimarkën, ndaj të cilës shënoi gol.
Vjet kishte luajtur më pak, edhe ishte grumbulluar më rrallë, por tashmë shihet si pjesë e rëndësishme e përbërjes bazë.