Cellino kritikon Balotellin, mendon ta shesë Brescian

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i klubit të Serie A së Italisë, Brescias, Massimo Cellino thotë se mund ta shesë Brescian dhe të kthehet në Angli, ndërsa pranon se ka bërë gabime këtë stinor, përfshirë edhe besimin që pati te Mario Balotelli, të cilin e ka quajtur tepër të papjekur.

Ish-kreu i Cagliarit dhe Leeds Unitedit, shpesh ka kërcënuar se do të tërhiqet tërësisht nga bota e futbollit dhe është i vetmi që po insiston të mos vazhdohet stinori aktual i Serie A.

“Nuk është më futbolli im, nuk ka të ardhme”, ka thënë Cellino për “TeleTutto”. “Të jesh president është bërë e pamundur. Është sikur të jesh i ulur në një tavolinë pokeri kur kundërshtari yt po fsheh letra në mëngë dhe po përdor para false. Nuk po shqetësohem më nëse do të kthehemi në fushë, le të bëjnë çfarë të duan. Është turp që Italia po qëndron ulur dhe po pret për UEFA-në dhe Gjermaninë që të na jap sinjale se çfarë të bëjmë më pas. Të vendosin një herë e përgjithmonë, por ta bëjnë shpejt. Duhet të diskutojmë për t’u kthyer në siguri të plotë, por asnjëri nuk po heq dorë pasi bota e futbollit është plot borxhe dhe paratë janë shpenzuar para se të fitoheshin. Dua një futboll më të barabartë, jo bazuar në borxhe dhe fitime virtuale. Unë kam disa para, kështu që nëse gjërat nuk ndryshojnë, do të kthehem në Angli”.


Brescia zë vendin e fundit në tabelë me 16 pikë nga 26 ndeshje, ndërsa ndërroi tre trajnerë.

“Unë kam investuar në fushën stërvitore, stadium, shitore dhe elemente tjera, por e pranoj se kam bërë disa gabime amatore. Me dy apo tri vendime të gabuara, e kam quar poshtë stinorin”, pranon Cellino.

A e konsideron si gabim transferimin e Balotellit?

“Unë e kam dashur Balotelli, por ai doli tepër i papjekur në sjelljet e tij jashtë fushe. Të bëjmë të qartë, nuk do të shkojmë në Serie B për shkak të Marios, kështu që do të ishte gabim të mendojmë këtë. Nëse një fëmijë është i pasjellshëm, atëherë është faji i prindërve, kështu që nuk kemi përballur situatën aq mirë me të”, ka thënë Cellino.

Të ngjashme