President i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një ceremonie ka ndarë certifikata për 100 auditorë për forcimin e kapaciteteve të Zyrës Kombëtare.
Këta auditorë përgjatë dy viteve kanë ndjekur kurse të ndryshme të cilët i kanë përgatitur për punën në praktikë.
Presidenti Thaçi tha se përkrah fuqishëm institucionin e Auditorit të Përgjithshëm dhe mirëpret punën e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të kësaj zyre. Raportet vjetore të Zyrës së Auditorit, sipas tij, janë sot një burim i vlefshëm i informimit për punën e institucioneve shtetërore.
“Në fakt, këto raporte janë kthyer në udhërrëfyes për të gjitha institucionet publike në Kosovë se si të shpenzojnë me përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve paranë publike”.
Para shumë personaliteteve të kësaj fushe, Thaçi ka theksuar se qëllimi përfundimtar i kësaj është që të përmirësohet edhe më tutje qeverisja në Kosovë, në të gjitha nivelet. Ai ka shtuar se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të rrisin bashkëveprimin institucional me qëllim të forcimit të qeverisjes dhe ligjshmërisë.
Presidenti ka thënë se e tërë kjo, jo vetëm që do të sjellë qeverisje më të mirë, por do të rrisë edhe më tutje besimin e qytetarëve në institucionet publike.
“Sot po shënojmë edhe një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të auditimit publik në Kosovë. Auditorëve të certifikuar u uroj për këtë arritje të shkëlqyeshme, ndërsa Auditorit të Përgjithshëm dhe personelit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, u uroj punë të mbarë dhe të suksesshme”, ka thënë në fund presidenti Thaçi.
Besnik Osmani, drejtor i përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditorit të Përgjithshëm, tha për Ekonomia Online se kjo skemë e certifikimit për auditor të sektorit publik ka ndodhur për herë të parë në Kosovë.
“Tani ne do të kemi shumë zyra të cilat do të jenë simotra me vendet e rajonit të cilat janë të interesuara të kenë këtë skemë që të aplikojnë në vendet e tyre”, tha Osmani.
Zyra Kombëtare e Auditimit, shpreh angazhimin dhe fokusin për të adresuar sfidat, promovuar sukseset dhe për të parë bashkërisht me partnerët rrugën përpara.
Në këtë ceremoni u theksua se ky është moment tejet i rëndësishëm për gjithë aktorët në funksion të bashkimit të energjive, njëherësh një shenjë mirënjohje për të gjithë korpusin që angazhohen në këtë mision të auditivit.
Skemës së Certifikimit për Auditor të Sektorit Publik i janë nënshtruar gjithsej 109 auditorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit prej të cilëve 57 kanë arritur titullin më të lartë, Auditor i Certifikuar i Sektorit Publik, 34 kanë arritur titullin, Auditor i Sektorit Publik, dhe 9, Asistent Auditor i Sektorit Publik.
Ngjarja pati tri sesione të veçanta e cila mblodhi të gjithë aktorët rajonalë, vendorë dhe ndërkombëtarë si nevojë për reflektim dhe zotim për angazhimet e përbashkëta në funksion të fuqizimit të këtij mekanizmi të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.