273 shërbyes civilë u certifikuan në Programin e Lidershipit Transformues, pas një trajnimi 14-javor për lidership profesional, analizë të politikave publike dhe vendimmarrje.
Synimi i Programit prej 14 javësh, është që të ndihmojë popullin dhe Qeverinë e Kosovës në rritjen e kapaciteteve të zhvillimit të politikave publike dhe lidershipit në nivel qendror dhe komunal, u tha në ceremoninë e organizuar me këtë rast, raporton Ekonomia Online.
Sharon Y. Hart, presidente e Universitetit Amerikan të Kosovës, ku janë mbajtur trajnimet e specializuara,tregoi se ky program ka filluar para katër vitesh dhe janë certifikuar 1 000 pjesëmarrës. Kjo ishte gjenerata e fundit e programit.
“Falënderoj USAID për mbështetje financiare. Ky program ka filluar para gati katër vitesh, në vitin 2015 dhe nga 17 000 aplikime janë përzgjedhur rreth 1000 pjesëmarrës. Kjo do ju ndihmojë shumë që t’u njihet puna e juaj si shërbyes civilë. Tani dua të falënderoj profesorët dhe stafin e AUK-ut të cilët kanë ndihmuar drejtë suksesit për të gjithë ju që aplikuat për këtë program”, tha Hart.
Ndërsa William Trigg, zëvendës-drejtor për zhvillim ekonomik në zyrën e USAID-it tha se ky trajnim i shërbyesve civilë është një bazë për zhvillimin e institucioneve të Kosovës.
“E di që nuk është e lehtë puna juaj ajo kërkon shumë kohë për të ndenjur ulur në një tavolinë që të i shërbeni qytetarëve tuaj. Urime për verifikimin dhe është kënaqësi e imja që ta ndajë me ju këtë ditë. Shërbimi juaj do të jetë baze që institucionet tuaja të zhvillohen. Dhe ju lutem që t’i merrni përgjegjësitë tuaja me shumë seriozitet. Edhe qeveria amerikane ju falënderon për punën tuaj dhe do mbetet partner i besueshëm i juaji”, u shpreh Trigg.
Besnik Tahiri, koordinator nacional për reforma shtetërore në Qeverinë e Kosovës, tha se shërbyesit civilë janë shtylla e institucioneve të Kosovës
“Në emër të Qeverisë së Kosovës, një falënderim shumë i madh i shkon qeverisë amerikane. Ky është një program enkas i dizajnuar për nivelin e shërbyesve civil të cilët e kanë barrën më të madhe të procesit të konsolidimit të Kosovës… Ju jeni shtylla e institucioneve të Kosovës”, tha Tahiri, raporton Ekonomia Online.
Ylberina Morina-Mala, drejtoreshë e Programit për lidership transformues bëri shpërndarjen e certifikimeve për disa nga aplikuesit e shërbyesve civilë.
“Prej muajit maj programi certifikues është i akredituar nga niveli kombëtar i akreditimeve. Këto dy kohorte janë të fundit gjithsej 278 shërbyes civil janë pranuar në këtë program”, tha ajo.