Certifikohen 30 pjesëtarë të FSK-së dhe Policisë së Kosovës

Prishtinë | 07 Dhj 2017 | 15:56 | Nga

Në ambientet e kazermës “Adem Jashari“ të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), sot u realizua certifikimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës, gjithsej 30 pjesëtarë, në trajnimin e zhvilluar për ndihmë të parë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë për FSK-në, kolonel Xhevdet Tahiri, komandanti i Kompanisë së Mjekësisë nënkolonel Hamide Osaj, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veri, nënkolonel Mentor Shabani, drejtori i Drejtorisë për Trajnime të Specializuara në Policinë e Kosovës nënkolonel Ekrem Racaj, nëntoger Justin Parks oficer i Operacioneve MEDEVAK, kapiteni Nickolas Stidharr CMSE (Ekipi për Mbështetje Civilo Ushtarake i Ambasadës Amerikane), nënkolonel Milaim Musliu komandant i NNJRK-së .

Në fjalën e tij, gjenerali Gëzim Hazrolli tha: “Falënderoj Ambasadën Amerikane për mbështetjen dhe hap pas hapi po bëhemi të gatshëm për të qenë ofrues të sigurisë dhe jo vetëm konsumues. Duhet të jemi të ndërveprueshëm. Ky është edhe qëllimi i komandantit të FSK-së pra, bashkëpunimi me të gjitha institucionet. Prandaj në këtë funksion është edhe puna të cilën e bëjmë dhe ndihma që ne japim për shpëtimin e jetëve të njerëzve dhe ky ka qenë edhe qëllimi i këtij trajnimi të përbashkët”.

Gjenerali Gëzim Hazrolli duke iu drejtuar të sapo certifikuarve tha: “Këto njohuri nuk do të kenë vlerë nëse nuk i avancojmë dhe nuk i përdorim si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe për të mirën tonë gjatë punës së përditshme, prandaj kërkoj nga nënkolonelët e Policisë së Kosovës dhe të gjithë ju, që këto njohuri të fituara t’i avanconi për të mirën e përgjithshme”.

Ndërkaq kapiteni Nickolas Stidharr falënderoi për mundësinë që i është ofruar dhe theksoi se “zyra jonë ka një bashkëpunim të mirë si me Policinë e Kosovës ashtu edhe me FSK-në dhe gjëja më e mirë që kam parë, qe gjashtë muaj, sa jam këtu është ky bashkëpunim i shkëlqyer në mes Policisë së Kosovës dhe FSK-së”.

Nënkoloneli Racaj nga Policia e Kosovës tha se “është privilegj të jesh pjesë e sukseseve të tilla, ku marrin pjesë institucionet e sigurisë dhe të rendit”. Ai falënderoi të gjithë për mundësinë e dhënë për këtë trajnim dhe shtoi: ,,ky trajnim do të na duhet së pari neve në punën tonë të përditshme, e gjithsesi edhe për qytetarët dhe shpresoj se do të vazhdojmë edhe me bashkëpunime tjera në shumë fusha me interes të përbashkët”.

Trajnimi është mbajtur në Kompaninë e Mjekësisë së FSK-së. Është mbështetur nga ekipi për Mbështetje Civilo-Ushtarake i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë. Këtë trajnim që ka zgjatur tri ditë e kanë ndjekur 15 pjesëtarë të FSK-së dhe 15 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Trajnimi është fokusuar në temat: Kujdesi taktik në fushëbeteja; Gjakderdhja masive; Fashimi; Turnikea; Procedurat e 9 linjëshit (procedurat për evakuim me helikopter) dhe të evakuimit mjekësor me helikopter.

Ligjëratat si teorike dhe ato praktike janë mbajtur nga instruktorë të Kompanisë së Mjekësisë së FSK-së dhe instruktorë nga Kampi Bonstill.

Në fund të ceremonisë, zv. komandanti i KFT-së, gjenerali Gëzim Hazrolli ndau mirënjohje-falënderimi për mbështetësit e këtij trajnimi nga Ambasada e SHBA-ve dhe Kampi Bonstill, kurse të gjithë pjesëmarrësve iu dhanë certifikata. 

Të ngjashme