Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj dhe rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Naser Sahiti kanë marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave të auditorëve të energjisë, raporton Ekonomia Online.
Nitaj me këtë rast tha se janë trajnuar 53 kandidatë, projekt ky i ndihmuar nga GIZ-i, duke shtuar se do kontribuojnë në efiçiencë të energjisë.
“Aktivitetet po i bëjmë më të kufizuar shkaku i pandemisë. Ju njoftoj që MEA ka angazhuar UP që të kryej trajnimin e auditorëve ndihmuar nga GIZ-i ku janë trajnuar 53 kandidatë”.
“Në mënyrë simbolike kemi ftuar tre kandidatë që do tu ndajmë certifikatat. Besoj që këta do ta kenë një rol të jashtëzakonshëm në caktimin e parametrave për adoptimin e normave për efiçiencë të energjisë”.
Kurse rektori i UP-së, Naser Sahiti, tha se ky bashkëpunim dëshmon se janë të gatshëm për zgjerim të aktiviteteve edhe në fushat tjera.
“Si rezultat i bashkëpunimit ne realizuam trajnime ku certifikuam auditorë të energjisë. Është moment shumë i rëndësishëm për UP që tregon se ne jemi të gatshëm për zgjerim të aktiviteteve edhe në fushat tjera”.
Kandidatët që morën certifikatat solemnisht ishin: Fahrush Azemi, Krenare Shkodra dhe Njomza Blaku.
Azemi tha se për një zhvillim të qëndrueshëm segmenti i energjisë është shumë i rëndësishëm, raporton EO.
“Është moment i rëndësishëm për ne si individë dhe Kosovën. Për një zhvillim të qëndrueshëm segmenti i energjisë është shumë i rëndësishëm. Masat duhet të merren në shumë objekte në Kosovë”.