Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, së bashku me kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, kanë ndarë certifikatat për tetë kandidatët që kanë dhënë provimin profesional nga siguria dhe shëndeti në punë.
Kryeinspektori Basri Ibrahimi tha se këta kandidatë kanë marrë certifikata për krijimin e kushteve më të mira për punë brenda kompanisë ku punojnë, raporton Ekonomia Online.
“Kompania ka qenë e obliguar që të dërgoj një kandidat, i cili është dashur të certifikohet. Tani kompanitë që i kanë mbi 50 punëtorë janë të obliguar ta kenë nga një person të certifikuar i cili duhet të shikojë sigurinë në punë. Ky person ka për obligim që të jetë në lidhje me Inspektoratin e punës”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas tij, edhe kompanitë publike që i kanë mbi 50 punëtorë janë të obliguar që të certifikojnë nga një person, i cili do të merret me sigurinë dhe kushtet e punës së punëtorëve.
Ministri në detyrë Arban Abrashi tha se po ngritet vetëdija për sigurinë në punë.
“Kjo do ta lehtësojë punën e Inspektoratit dhe ofrimin e shërbimeve të të drejtave të punëtorëve. Jam i bindur që do të ketë sukses gjithmonë në të drejtat e punëtorëve”, ka thënë Abrashi.