Me 11 vota për është votuar ceritifkimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor, raporton Ekonomia Online.
Në nisje të mbledhjes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryetari Kreshnik Radoniqi tha se nuk ka pasur ndryshim nga Gjykata Supreme dhe andaj rezultati mbetet i njëjtë.
“Pas shpalljes që kemi pasë të rezultatit më 31 janar janë parashtruar ankesat dhe vendimet e fundit lidhur me këto ankesa i kemi pranuar sot nga Gjykata Supreme, me çka është hap rruga për certifikimin e rezultatit. Asnjë ndryshim në rezultat të shpallur nuk është bërë nga vendimet që janë marrë nga ankesat andaj rezultati i lexuar në ditën e shpalljes së zgjedhjeve është i njëjtë me atë të certifikimit. Unë nuk do ti lexoj një nga por do ta hedh në votim certifikim në tërësi”, tha ai.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë, duke marrë 51.10 për qind të votave, ose 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 20.19 për qind të votave, përkatësisht 22 mandate.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.24 për qind të votave, duke marrë 15 ulëse në Kuvend, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50 për qind, që i sigurojnë gjashtë mandate parlamentare.
Me certifikimin e rezultateve, hapet rruga për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.
