Komisioni Ad-hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social, ka mbajtur mbledhjen e parë, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i këtij komisioni, Dardan Sejdiu, ftoi që në mbledhjen e ardhshme në këtë komision të jetë prezent ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për prezantimin e koncept-dokumentit.
“Propozoj një plan të punës të ndamë në dy faza. Takimin e parë ta mbajmë me ministrin Reçica. Pastaj të dytin me ministrin Bedri Hamzën. Në mënyrë jo formale më kanë taku edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe organizatave të ndryshme dhe secili është shprehë i gatshëm që të na ndihmojë për ekspertizë teknike”, tha Sejdiu.
Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, tha se edhe deputetët tjerë duhet të interesohen për tu bërë pjesë e këtij komisioni pasi që sipas saj çështja e pensioneve ka mbetur një çështje e ndishme për qytetarët e vendit.
“Çështja e pensioneve është një çështje shumë e ndishme dhe më vjen keq që kolegët deputetë nuk janë bërë pjesë e këtij komisioni. Në radhë të parë pajtohem që në takim të parë ta kemi në komision ministrin e MPMS-së Skënder Reçica dhe të dytin ministrin e Financave, Bedri Hamza. Duhet me insistu me bë një takim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtarë. Duhet t’i trajtojmë çështjet me probleme të ndaljes së pensioneve”, tha ajo.
Deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi, propozoi aprovimin e planit të punës në një element kohor para se të kalojë mandati.
“Për javën e ardhshme kërkoj që prej kryetarit bashkë me stafin përcjellës ta aprovojmë një plan të punës duke e pasë parasysh edhe elementin kohor. Propozoj me e ftu ministrin Reçica me ardhë me na prezantu koncept dokumentin”, tha Kuqi.