Të premten qeveria Kurti vendosi që të shtyjë afatin për targat deri me 21 prill të vitit të ardhshëm.
Kryeministri Kurti tha se fillimisht do të jetë masa e qortimit deri me 21 nëntor e që nga 21 prilli nuk do të lejohen targat ilegale në Kosovë.
“Për tri javë deri me 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pasat masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, e pas 21 prillit më nuk do të ketë targa të tjera. Me këtë rast ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin por në të njëjtën kohë t’u japim mundësi atyre që janë të interesuar të integrohen”, ka thënë Kurti.
Në kundërshtim me kërkesën e SHBA-ve dhe BE-së po e cilëson deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
“Konsideroj se veprimi i Kryeministrit Kurtit është i dëmshëm për vendin, marrë për bazë zhvillimet e reja rreth dialogut dhe dinamizimin e kësaj çështje nga aleatët tanë kryesor. Është gabim i madh të veprohet në kundërshtim me thirrjet e SHBA-së. Kosova nuk ka humbur asnjëherë nga partneriteti me Amerikën, përkundrazi ka dalë fitimtare në të gjitha proceset”, thotë ajo për Gazeta Blic.
Krasniqi pret reflektim nga ana e Qeverisë që të mos ketë lëkundje të raporteve me partnerët strategjik, sidomos SHBA-të, pasi pasojat sipas saj do të ishin të mëdha.
“Nuk guxon askush të mendojë acarimin e marrëdhënieve me SHBA-të. Prandaj, është e domosdoshme që të respektohen thirrjet dhe kërkesat e aleatëve tanë”, deklaron deputetja Krasniqi.