Çështja Mayorga-Cristiano Ronaldo është pasuruar me zhvillime të reja.
Avokati i vajzës, që akuzon sulmuesin e Juventusit për përdhunim në vitin 2009 në Las Vegas, Lesli Mark Stovall ka mbërritur tashmë në Londër, për të zhvilluar një takim me Jasmine Lennard, një nga ish-të dashurat e futbollistit, me këtë të fundit që kishte deklaruar se zotëronte prova kompromentuese për Ronaldon.
Takimi u konfirmua nga një prej anëtarëve të zyrës ligjore “Stovall&Associates”, por nuk u dhanë detaje në lidhje me temën e diskutimit.
Ditë më parë, Jasmine Lennard, ish-konkurrente e “Big Brother” në Britani, e përkufizoi Cristiano Ronaldon si një “djalë mamaje milioner, metroseksual, psikopat e me një personalitet bipolar”.
Ajo shtoi në deklaratën e saj se, ishte gati që të ndihmonte Kathryn Mayorgën në betejën ligjore me Ronaldon për përdhunim, duke përmendur edhe ekzistencën e provave kundër tij.
Avokati i Mayorgës, Stovall iu përgjigj menjëherë këtij apeli për të nisur betejen në gjykatë, në mënyrë që të anulojë akordin e firmosur në atë kohë nga klientja e tij dhe futbollisti portugez për mospublikimin e ngjarjes dhe për të vijuar me goditjet e tij ndaj luzitanit.