Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një mobilizim të pjesshëm për të përforcuar trupat e tij në Ukrainë pas pengesave të mëdha luftarake këtë muaj.
Në një fjalim drejtuar kombit rus, ai tha se Rusia kërcënohet drejtpërdrejt me “shpërbërje” nga fuqitë perëndimore që mbështesin qeverinë e Kievit, shkruan BBC.
Putin gjithashtu paralajmëroi NATO-n se Rusia e armatosur me armë bërthamore mund të përdorë çdo armë që ka në dispozicion kundër asaj që ai e quajti “shantazh bërthamor” perëndimor.
Mesazhi i tij erdhi një ditë pasi udhëheqësit e instaluar nga Rusia në katër rajone të Ukrainës lindore dhe jugore njoftuan planet për të ashtuquajturat referendume – duke filluar nga kjo javë – për bashkimin me Rusinë.
Çfarë do të thotë mobilizim në praktikë?
Rusia planifikon të thërrasë rreth 300 mijë rezervistë – domethënë njerëz që kanë pasur trajnime ushtarake dhe kanë aftësi të specializuara të nevojshme për konfliktin në Ukrainë.
Ndër ta do të përfshihen shumë oficerë rezervë, duke përfshirë disa mbi 60 vjeç që janë të pensinuar.
Rusia teorikisht mund të mobilizojë rreth 25 milionë njerëz për shërbimin ushtarak, por kjo ende nuk po merret parasysh. Presidenti Putin dhe Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, theksuan se rekrutët nuk do të dërgohen për të luftuar në Ukrainë.
Shoigu tha se trupat shtesë kërkoheshin për të mbrojtur një vijë fronti që shtrihej për rreth 1000 kilometra.