Çfarë duhet ditur rreth efekteve anësore të vaksinave anti-COVID

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 08:10 | Nga Ekonomia Online
“Efektet anësore janë tipar i të gjitha medikamenteve dhe vaksinave efektive, pasi që ato kanë një efekt biologjik në trup – për shembull, duke shkaktuar reagim imunitar në rastin e një vaksine”

Shpërndarja e vaksinave kundër koronavirusit tashmë është duke pasur ndikim të theksueshëm në botë: shifrat më të fundit kanë treguar se mbi 32 milionë persona në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë të paktën njërën nga dy dozat, në atë që është cilësuar si programi më i madh i inokulimit që vendi ka pasur ndonjëherë.

Aktualisht janë tri vaksinat që u janë vënë në dispozicion britanikëve – ajo e “AstraZenecas” dhe “Pfizer”, teksa shpërndarja e vaksinës së “Modernas” ka filluar që nga 7 prill.

Vaksina kundër koronavirusit e “Modernas” është e treta që do të administrohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe së pari ishte dërguar në Uells, ku pritej që qytetarit ta merrnin në fillim të javës, më 12 prill.

Ngjashëm sikurse vaksinat e tjera, edhe këto kanë efekte anësore, siç janë dhimbjet e muskujve, temperatura e lehtë dhe lodhja. Megjithëkëtë, Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast të efekteve anësore të lajmërohen në njësitë mjekësore. Por cilat janë këto efekte anësore dhe pse janë më të këqija për disa sesa për të tjerët?

Cilat janë efektet anësore të vaksinës së “AstraZenecas”?

Vaksina e “AstraZenecas” ka renditur në mesin e efekteve anësore që mund të shfaqen pas injektimit ndjeshmërinë, dhimbjen, temperaturën, kruajtjen apo mavijosjen në vendin ku jepet vaksina, lodhjen, dridhjen ose etjen, si dhe dhimbjet e kokës, ndjenja e të vjellës, dhimbjet e kyçeve apo të muskujve. Këto efekte anësore janë “goxha të zakonshme” dhe u ndodhin një në 10 personave që e marrin vaksinën.

Rregullatorët britanikë dhe ata të Bashkimit Evropian kanë ardhur në përfundim se mpiksja e gjakut duhet të renditet si efekt “shumë i rrallë” anësor nga vaksina e “AstraZenecas”.

Pavarësisht rrezikut të papërfillshëm, atyre që janë nën 30 vjeç në Britani do t’u ofrohen vaksinat “Pfizer” apo “Moderna” në vend të atyre të “AstraZenecas”, pikërisht shkaku i rrezikut për mpiksje të gjakut.

Efektet anësore të “Pfizerit”

Image

Efektet anësore nga vaksina amerikano-gjermane janë të ngjashme me ato të “AstraZenecas”. Më të zakonshmet janë dhimbja në vendin e injektimit, lodhja, kokëdhembja, dhimbjet e muskujve, drithërimat, dhimbja e kyçeve dhe ethet. Pothuajse në të gjitha rastet efektet kalojnë vetë brenda disa ditësh.

Të dhënat e para të mbledhura nga Kolegji Mbretëror i Londrës kanë sugjeruar se rreth një në çdo 10 persona që e kanë marrë vaksinën e “Pfizerit” kanë raportuar pasoja “sistematike”, të ngjashme me simptomat e gripit të lehtë. Kjo shkallë është rritur në tre në çdo 10 mes atyre që e kanë marrë kurën e “AstraZenecas”. Sidoqoftë, në këtë fazë nuk dihet ende sigurt nëse ndonjëra vaksinë shkakton efekte anësore më të këqija se tjetra.

Sa zgjasin efektet anësore të vaksinës?

Këto kundërreagime nuk zgjasin shumë.

Mjeku Bharat Pankhania, specialist i sëmundjeve infektive në Londër, ka shpjeguar se pothuajse në të gjitha rastet, efektet anësore janë kryesisht të lehta dhe kalojnë vetvetiu.

Megjithëkëtë, një efekt anësor mund të zgjasë më gjatë se të tjerët: gjëndrat e fryra.

Kjo zakonisht ndodh nën sqetull ose qafë, në të njëjtën anë me krahun ku është administruar vaksina dhe mund të zgjasë deri në 10 ditë. Në rastet kur marrësit e vaksinave nuk ndihen mirë, Shërbimi britanik i Shëndetit Publik (NHS) ka bërë të ditur se mund të përdorni tableta si paracetamol, duke iu përmbajtur udhëzimeve.

Pse ndodhin efektet anësore?

“Efektet anësore janë tipar i të gjithë medikamenteve dhe vaksinave efektive, pasi që ato kanë një efekt biologjik në trup – për shembull, duke shkaktuar reagim imunitar në rastin e një vaksine”, ka thënë Douglas. Ai ka shpjeguar se kur jepet vaksina, trupi e konsideron si diçka “të huaj” dhe e nxit reagimin imunitar.

“Kjo është pika fillestare e efektit të synuar të vaksinës. Duam që trupi ynë ta bëjë këtë në mënyrë që më vonë, sistemi imunitar ta kujtojë dhe ta njohë agjentin infektiv (në këtë rast koronavirusin), nga i cili duam të mbrohemi”, ka theksuar ai.

Kush ka efekte anësore?

Në këtë fazë nuk mund të parashikohen efektet anësore dhe pse te disa njerëz janë më të rënda se te të tjerët. Mirëpo po qe se nuk shfaqen kundërreagimet, nuk duhet pasur arsye për shqetësim.

Efektet anësore serioze të vaksinës së koronavirusit janë të rralla dhe hulumtimet për lidhjet midis vaksinës “AstraZeneca” dhe mpiksjes së gjakut ende janë duke vazhduar.

Në fillim të kësaj jave, Rregullatori i Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) ka njoftuar se ka nevojë për më shumë punë për të vendosur lidhjen e caktuar mes vaksinës dhe rasteve të mpiksjes së rrallë të gjakut në tru, duke insistuar se përfitimet prej kurës ende i tejkalojnë rreziqet.

Megjithëkëtë, Komiteti i përbashkët për vaksinimin dhe imunizimin në Britaninë e Madhe ka rekomanduar që personave nën 30 vjeç t’u ofrohet një vaksinë alternative, si “Moderna” apo “Pfizer”.

Shqetësimi rreth lidhjes së vaksinës “AstraZeneca” dhe problematikës janë shfaqur për herë të parë në mars, në atë që ka nxitur Agjencinë Evropiane të Barnave që t’i nisë hetimet rreth lidhjes së mundshme.

Pas analizimit të të gjitha provave, EMA, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet kombëtare shëndetësore kanë ardhur në përfundim se përfitimet e vaksinës “AstraZeneca” i tejkalojnë rreziqet. \ Telegraph

Të ngjashme