Çfarë e shtyri të dyshuarin që ta kryejë sulmin terrorist në Zelandë të Re?

Prishtinë | 16 Mar 2019 | 08:27 | Nga Ekonomia Online

Një shtetas australian i moshës 28 vjeçare është akuzuar për vrasjen e 48 personave në dy xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re.

Autoritetet e sigurisë e kanë identifikuar Brenton Tarrant si të dyshuar për sulmin terrorist, shkruan Euronews.

Ai po punonte si një trajner personal në qytetin verior të New South Wales dhe ishte i njohur si një “terrorist ekstremist i krahut të djathtë”.

Por çfarë e shtyri atë që ta kryejë aktin terrorist?

Brenton Tarrant para se ta kryejë sulmin, në llogarinë e tij në Facebook ai e kishte publikuar një dosje të quajtur “Zëvendësimi i Madh”.

Gjithashtu në video ku ai e kishte xhiruar veten, mund të dëgjohej kënga serbe kushtuar kriminelit të luftës Radovan Karadžiq, i cili mbahet i burgosur për gjenocidin e kryer në luftën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ndërsa në dosjen prej 75 faqesh, autori i kishte cilësuar emigrantët si “pushtues” dhe e kishte justifikuar sulmin e tij që do ta kryente me termin “gjenocid i bardhë”.

Gjithashtu në armën me të cilën e kishte kryer sulmin, ndodheshin mbishkrime me emrat e disa personave të njohur si supremacist të bardhë.

Brenton Tarrant pretendon se gjatë udhëtimeve të tij, ai kishte kontaktuar me vrasësin e njohur norvegjez, Anders Breivik, i cili i kishte dhënë bekimin atij për kryerjen e këtij sulmi ku mbetën të vdekur 49 persona.

Tarrant fajësoi imigrimin masiv për çrregullimin e racës dhe kulturës europiane, e cila sipas tij, nuk është në gjendje të kthehet në shëndetin dhe prosperitetin e mëparshëm.

Motivi i tij për të marrë kaq shumë jetë të personave të pafajshëm ishte hakmarrja ndaj “pushtuesve” që sipas tij ishin përgjegjës për shkaktimin e mijërave vrasjeve në kontinentin e Europës gjatë gjithë historisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme