Çfarë fuqie punëtore ka Kosova? (GRAFIKË)

Prishtinë | 01 Maj 2022 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Sot shënohet 1 Maj, Dita e Punëtorëve. Kjo datë reflekton në mendjen e punëtorëve, punëdhënësve, si dhe pushtetit, në atë se sa  respektohen të drejtat e punëtorëve, a kanë paga meritore, dhe a duhet të bëhet më shumë për komoditet të tyre në punë.

Në Kosovë, përpos të drejtave jo të kënaqshme ndaj punëtorëve, ende mungojnë vendet e mjaftueshme të punës, ndërkohë që fuqia punëtore qëndron në numra shumë lakmitarë, një përqindje e qytetarëve të gatshëm për punë që edhe vendet perëndimore e lakmojnë, shkruan Klankosova.tv.

Sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të publikuar një vit më parë, papunësia tek të rinjtë është shumë e lartë në Kosovë.

Bazuar në këto të dhëna të vitit 2021, 60.5 përqind e popullsisë në moshë pune, është joaktive, me fokus të veçantë te femrat me 77.3 përqind nga to të papuna, krahasuar me meshkujt, me 43.5 përqind prej tyre joaktiv

Dy të tretat e popullsisë së Kosovës janë në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat nga 15 deri në 64 vjeçare. Pritet që popullsia në moshë pune të rritet shpejt gjatë dekadës së ardhshme pasi Kosova është ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë.

Një në pesë femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri te pestat e meshkujve në moshë pune.

Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat se sa për meshkujt. Papunësia më e theksuar është te femrat me 29.7 përqind, krahasuar me meshkujt, me 24.2 përqind.

Femrat ishin të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, të tregtisë dhe të shëndetësisë, ndërsa meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e Tregtisë, prodhimit dhe ndërtimtarisë.

Nga të punësuarit, meshkujt dominojnë në treg, me 42.8 përqind, ndërsa punësimi te femrat ishte 15.9 përqind.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 44.0 përqind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 56.0 përqind kanë kontratë të përkohshme.

Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15 deri 24 vjeçare, me 48.6 përqind./Klankosova.tv/.

Të ngjashme