Çfarë i bën zjarret masive të Kalifornisë kaq të pazakonta

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Zjarre masive kanë përshkuar Kaliforninë ditëve të fundit, duke kërcënuar qytetet e duke vërshuar tym në zona të mëdha dhe në disa pjesë të tjera të SHBA-së.

Sipas medieve të huaja, deri të premten u raportua se rreth 92 mijë hektarë u dogjën në disa pjesë të zonës jugore të gjirit të San Fraciskos.

Në veri, afër qytetit të Napas, raportohet se katër persona ndërruan jetë, ndërsa zjarret masive i dogjën 88 mijë hektarë, duke shkatërruar edhe 600 struktura banimi. Mijëra qytetarë u detyruan të evakuohen për shkak të rreziqeve.

Të dhënat e lartcekura përfshijnë vetëm zonat e prekura përkatëse, pasi në përgjithësi, zjarret dogjën 242 mijë hektarë tokë në Kaliforni në më pak se një javë.

Zjarret u ndezën nga stuhi rrufesh masive në fillim të javës së kaluar në shumë pjesë të shtetit, por që u “koncentruan” më shumë në Zonën e Gjirit të San Franciskos.

“Jemi përballur me 11 mijë shkarkime rrufesh për vetëm tre ditë”, pati thënë Brice Bennet, zëdhënës i Departamentit të Pyjeve dhe i Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni.

Zjarret masive nuk janë asgjë e re për banorët e Kalifornisë, pasi shumë prej tyre janë rritur e mësuar me nxehtësinë, tymin dhe evakuimet.

Mirëpo këtë vit gjithçka reflekton ndryshe, pasi flakët dallojnë për nga shkalla dhe intensiteti i tyre, madje edhe nga koha me të cilën po ndodhin ato.

Zjarret e tanishme janë vetëm disa prej çështjeve shqetësuese që kapluan Kaliforninë. Vendi është përballur kohëve të fundit me disa valë rekorde të nxehtësisë. Për disa ditë me radhë temperaturat patën arritur shifra të trefishta në disa zona. Vetëm javën e kaluar Lugina e Vdekjes regjistroi temperaturën prej 54.4 gradë Celsius. Kjo nxehtësi çoi në ndërprerje të energjisë, ndërsa shërbimet komunale u përpoqën t’ia plotësonin banorëve kërkesat për ftohje.

Vendi përveç fatkeqësisë po kalon kohëra të vështira edhe për shkak të pandemisë së coronavirusit, duke regjistruar në secilën ditë, rritje të rasteve nga virusi vdekjeprurës.

Në detajet e mëposhtme gjenden disa prej faktorëve që nxitën këto zjarre dhe ndërlikimet të cilat po shfaqen secilen herë e më shumë për kontrollimin e tyre.

Temperaturat e larta, stuhitë e fuqishme dhe ngrohja globale

Stuhitë rreth Zonës së Gjirit në San Francisco që shkaktuan zjarret e tanishme në Kaliforni, po konsiderohen si ngjarje të rralla.

“Hera e fundit që u përballëm me një gjë të tillë ishte mbi një dekadë më parë”, pohoi Bennett.

“Fakti që rrufeja filloi këto zjarre ishte gjithashtu e rëndësishme. Pjesa dërrmuese e tyre në Kaliforni janë ndezur nga burimet njerëzore – linjat e energjisë, zjarrëvëniet e qëllimshme, ose edhe nga neglizhenca”, shtoi ai.

Ndërkohë, këto katastrofa nuk do të kishin qenë aq të këqija po të mos ishin këto temperatura të larta, shkruan Vox, përcjell Telegrafi.

“Vendi po përballet edhe nga vala e nxehtë e cila po karakterizohet edhe gjatë natës”, tha Daniel Swain, nga Universiteti i Kalifornisë Los Angeles.

“Edhe lagështia e rritur luan një rol në zjarret e tanishme”, potencon ai.

Një faktor tjetër kyç thuhet të jetë edhe ngrohja globale, e cila po reflekton keq tek zjarret. Moti në Kaliforni po bëhet çdo ditë e më shumë më i paqëndrueshëm.

Temperaturat po rriten, ndërsa pyjet e tokave dhe kullotat po thahen edhe më shumë raporton Vox, transmeton Telegrafi.

Zjarret në Kaliforni po ndodhin edhe në disa zona të cilat rrallë ndeshen me gjëra të tilla

Vlen të ceket se zjarret janë dukuri normale e ekologjisë në Kaliforni, kjo pasi ato pastrojnë bimësinë të cilat gjenden në saje të kalbjes; rivendosin lëndët ushqyese në tokë dhe ndihmojnë bimët të mbin.

Dukuritë së fundmi në Kaliforni dallohen prej atyre që plasuan në vitet e mëparshme, pasi zjarret po ndodhin në disa zona që jo shpesh kanë gjasa të ndodhin.

Disa prej zonave të cilat po digjen aktualisht janë pyjet bregdetare të Kalifornisë.

Të enjten e kaluar u dogjën ndërtesat e zyrave në Parkun Shtetëror të Big Basin Redwood, ndërsa zjarret dëmtuan disa prej pemëve të paluajshtme të parkut.

Pyjet bregdetare të cilat janë nën ndikim e sistemeve të motit detar, janë po ashtu të freskëta dhe posedojnë më shumë lagështi. Ato digjen periodikisht dhe shumë prej banorëve tashmë janë përshtatur me zjarrin, mirëpo ato rrallë ndizen gjatë verës.

Pandemia e coronavirusit po ia vështirëson edhe më shumë situatën banorëve të Kalifornisë

Pandemia e COVID-19 ka tronditur secilën pjesë të shoqërisë dhe punën e zjarrfikësve.

“Patjetër që ka ndikuar në situatën e re, kryesisht në ekipet e tona të zjarrfikësve”, u shpreh Bennet.

Kalifornia shpesh i rekruton të burgosurit për ta bërë punën e zjarrfikësve. Ata paguhen me nga dy ose pesë dollarë në ditë, për t’i kryer këto shërbime. Mirëpo, për shkak të shpërthimeve të mëdha në burgje nga coronavirusi, disa të burgosur u liruan për të shmangur situatat e mbipopullimit. Të tjerët u infektuan, dhe shumë të tjerë u vendosën në karantinë.

Numri i ekuipazheve të zjarrfikësve të burgosur është gati përgjysmuar.

Sa i përket banorëve të Kalifornisë të cilët zakonisht janë mësuar me arratisjen për shkak të zjarreve, COVID-19 e ka bërë edhe më të vështirë koordinimin e evakuimeve dhe të strehimoreve.

Rënia e cilësisë së ajrit nga zjarret është gjithashtu një kërcënim për njerëzit me coronavirus, pasi ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të dëmtojë rrugët e frymëmarrjes dhe t’i bëjë njerëzit më të ndjeshëm ndaj infeksionit të frymëmarrjes.

Dhe nxehtësia ekstreme përkeqëson ndikimin e shëndetit publik të COVID-19, pasi njerëzit detyrohen të kalojnë kohë të gjatë në hapësira të mbyllura për të shmangur nxehtësinë.

Të ngjashme