Gent Caka ka patur sot të parin takim si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, de facto. Dhe pikërisht në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendeve të Ballkanit, Caka është përballur me një situatë të krijuar nga Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq.
Duke parë që në takim gjendej përveç Gent Cakës edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Behxhet Pacolli, përfaqësuesi serb ka kërkuar shkas për ta parë këtë si provokim dhe në përpjekje për të ironizuar, që në hyrje të mbledhjes është shprehur:
-Pse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i jashtëm Edi Rama.
Por, sipas burimeve për “Opinion.al”, përgjigja që ka ardhur nga përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë, Gent Caka ka shkaktuar të qeshura në sallë. Duke ju referuar faktit, që Daçiq është nga Prizreni, Ministri Caka është përgjigjur:
– Në fakt zoti ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy, dhe ka një fjalë që thotë nuk ka dy pa tre! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë!