Fillimisht besoj që jeni bindur që nevojitet me ndryshu modelin. Paradigmë e re, se kështu i kemi provuar të gjitha. Nuk po funksionon.
Për shembull, duhet me ba pyetjen: a mundet një kryeministër që s’e ka fitu asnjë euro në jetë me rritë Kosovën dhe ekonominë? Besoj e dini përgjigjen. Pastaj, a mundet një politikan që vetëm me politikë kosovarqe është ballafaquar tërë jetën e nuk ka udhëhequr asnjë kompani? Nuk mundet të dashur, besoj e dini.
A mundet me e zhvillu Kosovën një kryeministër që është profesor e edhe i ndershëm, por që s’ka eksperiencë në sektor privat, s’ka ba shumë pos ka lexuar libra? Nuk mundet, se besoj. Po një doktor apo një patriot? Tybe as afër nuk mundet. E naj komandant për shembull? Po kjo punë nuk është luftë i/e dashur.
Puna është që Kosova nuk ka me u zhvillu kurrë nga tipat dhe modelet që i kemi provuar deri më tani. Shiheni edhe kryeministrin aktual. Ai është një minimalist. Atij edhe me ja qit 1 milion euro në rrugë, nuk i shikon me sy, e kthen kryet tjetër kah. Shiheni si veshet dhe si jeton, çka ka bërë tërë jetën. Ai ka dëshirë një jetë të thjesht dhe s’ka asgjë të keqe aty.
Edhe unë e dua një jetë të thjesht. Por me qenë kryeministër që duhesh ne zhvilluar dhe rritë ekonominë duhesh ne pas eksperiencë të fuqishme biznesore dhe kur i sheh qato €1 milion me i marrë shpejt dhe me i rritë në €10 milionë.
Ne nuk kemi pas ende një kryeministër të përshtatshëm për nevojat tona. Kemi pasur minimalistë, majtistë, profesorë, doktorë, komandantë e luftëtarë… por jo një ndërmarrës, biznesmen dhe inovator.
Ndoshta duhemi me ndryshu pak, se me me metoda e mjete të njejta qe 23 vite nuk mundemi me arritë rezultate të ndryshme apo tjera. Apo si thuhet, me mendjet e metodat që janë krijuar telashet dhe vështirësitë aktuale dhe momentale nuk munden me u zgjidh problemet tona.
Nuk është keq me mendu për këto gjëra dhe me vendosë standarde dhe rregulla e kritere për çfarë lloji të kryeministrit na nevojitet. Cilat janë nevojat tona dhe vizioni ynë, çfarë potencial optimal dëshirojmë të arrijmë?
Në bazë të kësaj vendosim për tipin e kryeministrit që na duhet. E kur vendosim për karakteristikat, atëherë edhe partitë munden me na ofru kandidatët e tyre. Por patjetër që duhet menduar dhe diskutuar. Nuk mundemi me pritë dhe shpresuar që kjo rregullohet automatikisht apo me vazhdu me ja lënë në dorë fatit. Për interesat e larta publike, duhemi me diskutu dhe me gjetë koncenzus për atë çfarë është ma e mirë për ne. Mendojeni!