Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Podujevës kanë hyrë në javën e fundit. Tre kandidatë të partive më të mëdha nga LDK, PDK dhe VV janë në garë për të parin e Podujevës.
Edhe pse fushata zgjedhore është 10 ditë, ajo ka nisur shumë më herët dhe po fokusohet më tepër në takime të kandidatëve me struktura të partive të tyre.
Por në sy bie fushata mediale kreative e kandidatit të PDK-së, Naim Fetahu i cili po ofron çdo ditë prezantimin e një teme të programit të tij, ndërsa nuk mungojnë në rrjetet sociale edhe video mesazhe të vecanta.
Në ditën e 8 marsit, në një takim me shumë gra të Podujevës, ai ka shpërndarë një letër personale për të gjitha gratë e pranishme që duket se ka prekur shumë prej tyre.
Në letër, Fetahu ka zbuluar një histori tragjike e të dhimbshme të jetës së tij, mungesën e nënës dhe të bashkëshortes. Pos saj, ai ka premtuar më shumë gra pjesëmarrje në ekzekutivin e ardhshëm.
Kjo është letra e plotë e tij:
Të nderuara gra,
Ka rastisur që ditëlindjen ta kem me 8 mars, dhe për shumë kohë, kjo ka qenë një ditë shumë e veçantë për mua.
Familjarisht, përveç që festonim ditëlindjen time, festonim edhe 8 marsin, për nënën e gruan.
Por, tani më disa vjet, 8 marsin e festoj vetëm me tre djemtë e mi.
Pa nënën dhe pa gruan time. Dy gratë që më dhanë gjithçka që kam. Jetën dhe fëmijët e mi. Megjithatë, fakti që ato nuk janë me mua më në këtë jetë, nuk më ndalon që t’i uroj. Përkundrazi.
Unë kam qenë jashtëzakonisht me fat që gjatë jetës në krahë kam pasur një nënë dhe grua të tillë, dy gra të mrekullueshme.
Prandaj, mbi kujtimin dhe nderimin për to, unë jam i vetëdijshëm që gratë në Kosovë, por veçanërisht në Podujevë, kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje.
Mbështetje nga familja, shoqëria, e posaqërisht nga institucionet.
Si kryetar i Podujevës, unë tashmë kam premtuar se në qeverisjen time, nga 12 drejtori, së paku 6 prej tyre do të udhëhiqen nga gratë. Bizneset të cilat udhëhiqen nga gratë, do të kenë mbështetje dhe lehtësime për zhvillimin e tyre.
Podujeva e 100 mijë banorëve, e cila ka vetëm një çerdhe publike, do të jetë e mbushur me to, që gratë të mund të vazhdojnë karrierat e tyre krahas krijimit të familjes.
Prandaj, sot, me 8 mars, të gjithave grave gjithandej – urime 8 marsi.
Ju meritoni më mirë.
Me Respekt
Naim Fetahu