Në fakt nuk ka prova. Ne dimë që ka qenë padyshim një sulm nga ajri me armë kimike, dhe se ky sulm goditi një zonë të kontrolluar nga rebelët kundërshtarë, ndaj regjimit të Bashar al Assadit, me shifrat e fundit që flasin për njëqind të vdekur dhe 400 deri 500 të plagosur. Pra, nga pikëpamja ligjore, nuk është e mundur që të akuzosh zyrtarisht regjimin sirian për krime lufte, po të mos ishte që…
Po të mos ishte që, asnjë fraksion rebel nuk ka qoftë edhe një aeroplan të vetëm, madje edhe po të pranonim që kryengritësit të kishin siguruar një të tillë gjatë natës, nuk kuptohet pse ata duhet të bombardonin vetveten. Në mungesë të provave, me pak fjalë, ka një argument logjik të fortë, që shpie direkt kundër ushtrisë së Assadit, i cili nga ana e tij, ka nxituar të mohojë dhe kundërshtojë.
Disa do të thonë se regjimi nuk ka asnjë interes që të shndërrohet në objektiv ndërkombëtar, i indinjatës, në një moment kur kryengritësit janë pothuajse të mundur.
Lëvizjet e Putinit
Është e vërtetë. Indinjata ndërkombëtare erdhi, dhe ajo është më e pakta. Por ky regjim nuk është shqetësuar asnjëherë shumë për imazhin e vet, për faktin e thjeshtë se nuk ka paguar asnjëherë pasojat. Masakrat e tij, bombardimet e pa-ndalura në spitale, shkolla dhe lagje banimi, përdorimi prej tij i armëve kimike, ekzistenca e qendrave të torturës ku të burgosurit lihen të vdesin nga uria dhe etja, dhe e gjithë barbaria e papërballueshme e këtij regjimi, janë të dokumentuara përsosmërisht. E megjithatë, Rusia bllokon çdo dënim të Damaskut nga ana e Këshillit të Sigurisë, dhe me përjashtim të Francës, askush nuk ka dashur ndonjëherë të provojë të dobësojë regjimin, për ta shtyrë në tryezën e negociatave.
Mes Rusisë dhe Iranit që mbështesin regjimin me armë dhe SHBA që refuzojnë të ndërhyjnë në Lindjen e Mesme atëherë kur duhet (dhe pasi e kanë bërë atëherë kur nuk duhej), Assadi ndihet i lirë të shkelë çdo kufi.
Rusia, një vend që shpëtoi regjimin duke dërrmuar Aleppon, do të donte të merrte nga Assadi disa lëshime, që do i mundësonte Putinit të tërhiqej, si dhe të thoshte se ka favorizuar një marrëveshje politike. Por Assadi nuk do të lërë pas dore rusët, sepse është i frikësuar që, hapja minimale mund të çojë në fundin e regjimit të tij. Për kasapin e Damaskut është e rëndësishme që rebelët të shpartallohen plotësisht, dhe një krim si ai kryer më 4 prill, mund të kontribuojë në misionin e tij.
ka një farë racionali-teti në këtë tmerr, por është gjithashtu e vërtetë se Assadi po luan me zjarrin, sepse administrata Trump, që deri një javë më parë shprehej e gatshme të pranonte qëndrimin e tij në pushtet, ka ngritur menjëherë zërin. Ndërkohë turqit po i bëjnë presion aleatit rus, që të reagojë. Ndoshta Damasku ka bërë një goditje të tepruar. Për momentin, kohërat nuk janë në favor të këtij regjimi vrasësish.