Zëdhënësi KEDS-it, Viktor Buzhala ka bërë të ditur se punëtori i cili kishte dalë pozitiv me coronavirus me 15 prill, tani është në prag të shërimit pasi që ai e ka bërë një test dhe ka dalë negativ
Kompania KEDS ka konfirmuar se më 15 prill një punëtor i kompanisë ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
I infektuari me coronavirus ka qenë nga Ferizaj, i cili kishte pasur kontakt me një të infektuar më parë.
Mirëpo një lajm të mirë e ka dhënë sot zëdhënësi i kompanisë KEDS, Viktor Buzhala, ku ka njoftuar se punëtori në fjalë është në prag të shërimit.
”Në KEDS deri më tani e kemi pasur vetëm një rast me koronavirus, ku edhe ai është gati që të shërohet, pasi që në testin e parë ai ka dalë negativ dhe pritet që së shpejti ta bëj testimin e dytë ku edhe pritet që shumë shpejt të shërohet nga koronavirusi”, ka thënë Buzhala për RTV Dukagjinin.
Tutje ai ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë rast tjetër të konfirmuar me koronavirus në kompaninë KEDS dhe se rasti i vetëm që ka qenë është gati që të shërohet.
Kujtojmë që deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 780 persona me coronavirus, ku 22 prej tyre kanë vdekur si shkak i COVID-19, ndërsa 201 persona janë shëruar.