Një obsesion dhe një mirazh. Jetojnë në një shoqëri ku mbizotëron pabarazia dhe padrejtësia, ndaj dhe ekuacioni mes punës dhe parave është i parregullt. Nëse shumë drejtues fitojnë para edhe pse bëjnë mjaft gabime gjatë punës, përhapet një perceptim rastësie pasi të gjithë mendojnë se atëherë nuk paska rëndësi merita dhe talenti, por fati.
Për të rinjtë puna ka humbur vlerën dhe ky është dimensioni thelbësor i shqetësimit tim. Puna dominohet nga individualizmi, konkurrenca dhe pasiguria, ndaj ajo nuk përfaqëson më një vend ku krijohen lidhje sociale.
Në teori, puna është çelësi i autonomisë, por për shkak të krizave shumë të rinj janë të detyruar të rrinë në shtëpi me prindërit. Fëmijëria e tyre e zgjatur kontribuon në përhapjen e një ndjenje paaftësie, ndërsa ata nuk mund të përçojnë vlerat e tyre më të mira.
Tentojnë të varen pas familjes, duke treguar pasivitet në jetën reale. U ka ikur ambicia. Ndërsa ata që arrijnë të shkëputen prej kësaj lidhjeje, shpesh herë e bëjnë përmes trashëgimisë së profesionit: fëmijët e aktorëve bëhen aktorë, fëmijët e avokatëve bëhen avokatë etj. Pa harruar që fëmijët e periudhës “baby-boom”, sot 60-vjeçarë, zënë të gjithë postet drejtuese. Një horizont i tillë patjetër që të dekurajon.
Gjendja e të rinjve është një kampion që tregon kushtet e gjithë shoqërisë sonë, ku progresi i madh tekniko-shkencor ka krijuar pabarazi gjithnjë e më të thella. Të rinjtë janë të parët që i vuajnë pasojat. Por nuk duhet folur vetëm për të rinjtë, pasi kushtet sociale dhe përkatësia klasore luajnë një rol thelbësor në fatet e gjithsecilit.
Duke e përqendruar vëmendjen vetëm te të rinjtë, ideologjia dominuese tenton të fshijë dallimet klasore duke e trajtuar çështjen vetëm si një problem moshe.