Katër transaksione që dyshohet se u kryen nga zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda më 9 tetor, i çuan mbi dy milionë euro të shtetit në një kompani private me bazë në Llapushnik të Drenasit.
Gruda, i cili sipas ministres Hykmete Bajrami punonte që 11 vjet në këtë institucion, edhe më tutje njihet pothuajse vetëm si “zyrtari i Thesarit”. Për disa ditë me radhë, nuk u bë e ditur se çfarë funksioni kryente ai në këtë institucion.
Për detyrat që i kishte pasur Gruda, ka folur për REL, drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili.
“Labinot Gruda, ka qenë menaxher i tavolinës ndihmëse, ka pasur detyrë krijimin e përdorueseve të punëtorëve në sistem”, ka thënë Ismaili.
Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës tha se e ka menduar dorëheqjen nga ky post, pas transferit të mbi 2 milionë eurove nga ky institucion në kompaninë “LDA Group”, prej së cilës kanë rrjedhur në dhjetëra llogari të tjera.
“E kam menduar dhe jam jashtëzakonisht i thyer pas rastit”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se pas zbardhjes së rastit, do ta shqyrtojë qëndrimin e tij në pozitën e udhëheqësit të Thesarit.
Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda u arrestua, nën dyshimin, se përmes katër transaksioneve e ka bërë transferimin e këtyre mjeteve.
Ndërkaq, në një letër dërguar mediave, Ismaili e ka cilësuar këtë transfer si “veprim krejtësisht individual”. Sipas tij, në këtë rast janë “tejkaluar autorizimet ligjore, janë ndërmarrë veprime të palejuara dhe janë krijuar përdorues fals në sistem, duke thyer/resetuar fjalëkalime të zyrtarëve përgjegjës të ministrisë nga e cila janë marrë mjetet”.
“Pra, ka përdorur qasjet nga sistemi për të bërë krim, i cili ka pasur për qëllim mashtrimin përmes manipulimit dhe thyerjes nga brenda të sistemeve, që bie në domenin e krimit kibernetik po ashtu”, ka thënë Ismaili.
Zyrtari i Thesarit dyshohet se ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”, pronarët e së cilës ndodhen në arrati.
Në llogarinë e “LDA Gruoup” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.
Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.
Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda për 8 minuta kishte krijuar usera fiktivë që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës, të cilët janë arratisur.
Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.