Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti paraqiti planet konkrete të programit të tij qeverisës për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave Serbe.
Kurti në një intervistë ekskluzive me Jeta Xharrën në #DebatPernime dha detaje se si planifikon të veprojë me këto dy çështje të hapura që ishin edhe disa prej arsyeve të rrëzimit të legjislaturës së pestë në Kosovë.
Ai tha se do të zhvillojë një hetim të detajuar të marrëveshjes aktuale për demarkim të kufirit me Malin e Zi si dhe do të fillojë bisedime me këtë shtet rreth kësaj marrëveshjeje.
“Së pari do të bëjmë një hulumtim, hetim të asaj se çfarë ka bërë nuk ka bërë komisioni paraprak në krye me zotëri Mehën. Ai ka negociuar mbi bazë të gabueshme, me procedurë të mbrapshtë dhe ka nxjerrë rezultate të dëmshme dhe menjëherë do të fillojmë kontaktet e drejtpërdrejta me Podgoricën zyrtare në mënyrë që të kemi përcaktim të kufirit. Nuk jemi kundër demarkacionit por jemi kundër demarkacionit pa demilitim që nuk është përcaktim kufiri por ndryshim kufiri”, tha Kurti.
Ai gjithashtu konsideron se opozita e ardhshme nëse LVV do të merr drejtimin e qeverisë, do të jetë pjesë e rëndësishëm e marrjes së vendimit për demarkacionin dhe çështje të tjera.
“Ne konsiderojmë që opozita është pjesë shumë e rëndësishme e parlamentarizmit dhe e demokracisë dhe nuk jemi për republikë qeveritare por për republikë parlamentare. Me datën 11 qershor Lëvizja Vetëvendosje fiton dhe do të bashkëpunojë me opozitën e ardhshme”
Bartësi i Listës së Lëvizjes Vetëvendosje u zotua për veprim edhe për çështjen e asociacionit të komunave serbe.
Ai tha se nuk do të lejojë formimin e këtij asociacioni duke bindur edhe komunitetin serb nëpërmjet bisedimeve se kjo marrëveshje nuk është e dobishme për shtetin.