Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka reaguar pas grafiteve në shtëpinë e deputetes së VV’së, Adelina Graincës, raporton Express.
Sipas Gecajt, ndërrimi i partive është veprim i padinjitetshëm, derisa shkruarja e grafiteve në pronë private është veprim huliganesk.
“Miqtë thonë, “what goes around, comes around”, e ne themi, “çfarë të mbjellësh, e korrë”.
Ndërrimi i partive si këmishën e trupit është veprim i padinjitetshëm … shkruarja e grafiteve në pronë private veprim huliganesk … derisa krim është hedhja e molotovëve në veturat dhe shtëpitë private”, ka shkruar Gecaj.
Ndryshe, mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.
“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM” kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.
Adelina Grainca në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zgjedhur deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, e njëjta ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 4 prill ku ka votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe njëkohësisht kishte bërë të ditur se ka braktisur PDK-në dhe i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve.