Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga Bekë Berisha, kryetar, ka pritur sot në takim Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të drejtuar nga Nasip Naço, kryetar.
Kryetari Berisha, pasi u uroi mirëseardhje homologëve nga Kuvendi i Shqipërisë, në pika të shkurta prezantoi punën dhe fushëveprimin e komisionit që ai drejton.
Për më tepër, kryetari Berisha tha se takimet e këtij formati, zyrtar e vëllazëror njëkohësisht, përveç që do të rrisin bashkëpunimin, po ashtu do të ndihmojnë që në të ardhmen të ketë nisma të nivelit rajonal, sa i përket çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ndërsa, homologu i tij, Naço, tha se nga ky takim dhe takimet e tjera që priten të ndodhin në të ardhmen, të dy komisionet do të kenë mundësi të mësojnë nga eksperiencat e njëra-tjetrës.
Tutje, kryetari Naço theksoi rëndësinë e takimeve të përbashkëta, sidomos ato në pikat kufitare, për të konkretizuar më tej politikat e të dy komisioneve.
Të dy komisionet u pajtuan intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet tyre do të jetë përtej asaj çka është parë deri tani. Anëtarët e tyre theksuan se të dy komisionet do të krijojnë një listë të përbashkët për punën dhe nismat që do t’i ndërmarrin komisionet në fjalë. Sipas tyre, ky bashkëpunim aq sa është real, është edhe praktik.