Bernard Challandes ka konfirmuar se Valon Berisha dhe Hekuran Kryeziu janë të lënduar dhe do t’i mungojnë Kosovës në ndeshjen miqësore kundër Danimarkës të enjten në Prishtinë.
Trajneri zviceran i Kosovës konfirmoi se mesfushori i Lazios Valon Berisha do të zëvendësohet nga mesfushori shumë në formë në Swansea City, Bersant Celina, derisa ka shpresa se Hekuran Kryeziu do të rikthehet për ndeshjen e dytë të Kosovës të hënën e ardhshme.
“Valoni është i lënduar, por kemi më shumë mundësi, e kemi Celinën në atë pozitë, i cili po luan mirë më Swansea. Hekurani u lëndua, mendoj se nuk është shumë serioze dhe e enjtja është afër, por e presim. Por, kemi kontingjent të pasur për këto dy ndeshje. Jemi në kontakte, është në pritje të rezonancave, nuk ka ndonjë thyerje Ndoshta në lojën e parë nuk mund të luajë, por në të dytën llogarisim në të”, tha Challandes të hënën në një konferencë për media.
Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet brenda një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
“Dardanët” së pari e presin Danimarkën në një ndeshje miqësore, para se ta nisin fushatën e kualifikimeve në Kampionatin Evropian 2020 kundër Bullgarisë të hënën më 25 mars.
Ndeshja miqësore me danezët do të jetë një test i mirë për ekipin e Challandes për ta parë se ku është tri ditë para se ta nisë ciklin kualifikues.