Bernard Challandes ka mbajtur konferencën me gazetarë para ndeshjes se Kosovës kundër Sllovenisë që pritet të mbahet nesër.
Por, në këtë konferencë, Challandes më shumë ka folur duke u arsyetuar për humbjen kundër Maqedonisë se sa për ndonjë plan konkret se si do të luajë kundër Sllovenisë nesër në mbrëmje.
Challandes ka folur për mundësinë e artë të Kosovës që ta shkruajë historinë, e që ai e humbi bashkë me ekipin e Kosovës, ku u mposhtë nga Maqedonia e Veriut me rezultat 2-1.
Ai është mundur ta arsyetojë formacionin, rastet e pakta duke kritikuar kështu analogjikisht futbollistët e Kosovës për humbjen, por në çdo rast është munduar që ta arsyetojë vetveten.
““Pas ndeshjes, trajneri mund të mendojë… ok, para ndeshjes kam zgjedhur skuadrën më të mirë që mendoja për ndeshjen. Pas ndeshjes, dy mundësi. Ndoshta nuk ishte zgjedhje e mirë me këtë lojtarë apo atë. Por, gjithmonë mund të ketë ndonjë lojtar që mund të jetë më i mirë, pas analizave të tjera. Ndoshta duhej të startonin të tjerë apo mundësi të tjera. Të gjitha këto kanë pikëpyetje pas ndeshjes. Kjo do të thotë se zgjedhjet e lojtarëve ishin të mijat dhe pas ndeshjes pranoj gabimet”.
“Për sistemin, mendoj se nuk ishte aty problemi. Mund të ndryshonim sistemin. Përfunduam me 4-1-4-1, sistem ofensivë. Kishim mundësi për shënim, por linim kundërsulme. Nuk ishte problemi te sistemi, por te kualiteti, instinkti vrasës. Mund të ishim me fat, nëse do të kishim gjaujtje si Ristovski, por nuk kishim ato mundësi. Duhet të gjuajnë më shumë, sepse nëse gjuajnë, ka mundësi më të mira. Ndonjëherë kërkojmë golin perfekt. Ndoshta kërkojmë shumë. Ky është futbolli i Kosovës”, ka thënë në fillim të konferencës Challandes.
Tutje, Challandes ka përmendur punën derisa vazhdimisht ka tentuar që t’i ikë pyetjeve për sistemin e lojës së tij, që është shumë statikë.
“Punë, punë, punë. Mendoj se ju keni folur për sistemin. Mund të mendojmë për sistemin, por nuk shoh problem aty. Tani, pse ndonjëherë sulmuesit shënojnë, shënojnë, dhe pastaj nuk shënojnë, nuk shënojnë. Është futboll, duhet t’iu japim besim lojtarëve. Tani, kërkoj disa sjellje tjera me topin. Thjeshtë. Më thjeshtë. Më shumë pasime të thella, më shumë kualitet, më shumë instinkt vrasës për krosimet. Është puna ime në këtë situatë”, ka thënë ai.
Krejt në fund, Challandes duket se nuk pëlqen grupmoshat U21 të Kosovës, pasi që ai ka thënë se nuk do të këtë vend për ta, s’paku jo në të ardhmen e afërt.
“Është koha që tani të përgatitemi për kampanjën e radhës. E qartë. Por, këtë kohë, kam parë dje U21, mendoj se është herët për të marrë disa lojtarë nga U21. Tani, kemi në këtë kontingjent disa lojtarë të rinj dhe është mundësi për pesë ndeshjet e radhës, sepse kemi dy tani, dhe tri në nëntor, por t’iu dhënë shans lojtarëve të rinj, nëse është mundësi. Por, zgjedhja është relativisht e shkurtë”.
“Nuk kemi 30 lojtarë kualitativë. Por, keni të drejtë. Dje kishim takim me stafin dhe federatën dhe do të përgatitemi për kampanjën e re. Mund të them edhe se nuk duhet harruar se kemi skuadër të re. Kjo do të thotë se mund të ndryshojmë diçka, t’iu japim mundësi lojtarëve që do të luajnë muajët e ardhshëm në nivele të mira, por, shanset janë për të gjithë lojtarë. Ndoshta lojtarë të rinj që luajnë mirë, në kampionate të mira. Por, nuk jemi në fundin e kësaj skuadre, sepse kemi dy lojtarë mbi 30, dhe të tjerët me 22, 23, 25. Lojtarët e rinj që duan të luajnë për Kosovën kanë derën e hapur”, ka thënë në fund trajneri i Kosovës Bernard Challandes, i cili ka afër një vit që nuk ka shijuar fitore me Kosovën.