Pa “zjarrin” që zakonisht përcjell gjatë konferencave për shtyp, seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, dukej krejt tjetër të hënën në Prishtinë, në paraqitjen e parë para mediave në prag të dy ndeshjeve të fundit dhe vendimtare për kualifikim në “Euro 2020”.
Zvicerani tha se të përzgjedhurit e tij nuk do të kenë presionin e rezultateve, por të lojës së mirë. E, sipas tij, loja e mirë sjell rezultatin e dëshiruar.
E Kosovës i duhet fitorja më 14 nëntor në Plzen ndaj Çekisë, e më pas edhe barazimi të paktën ndaj Anglisë më 17 nëntor në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Çekia është e dyta në Grupin A me 12 pikë, një më shumë se Kosova.
Challandes e nisi konferencën me batutë, duke thënë se “numri i madh i gazetarëve në konferencë i bën me dije atij se Kosova i ka dy ndeshje të rëndësishme gjatë kësaj jave”.
Me gjithë peshën e madhe të ndeshjeve, ai refuzoi t’u referohet atyre si “të jesh apo të mos jesh”. Thjesht i quajti ndeshje të radhës.