Challandes: Këtë fitore ia dedikojmë Vokrrit

Prishtinë | 10 Sht 2018 | 23:13 | Nga

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se fitorja e Kosovës ndaj Ishujve Faroe i dedikohet Fadil Vokrrit.

Kosova e arriti fitoren e parë në një ndeshje zyrtare, kundër Ishujve Faroe në Ligën e Kombeve në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Challandes tha se kjo fitore i dedikohet pikërisht legjendës së futbollit kosovar.

“Është gjë e mirë për Kosovën, si trajner për mua më e rëndësishmja është fitorja”, tha Challandes për Supersport Kosova.

“Ishte ndeshje emocionuese, dhe këtë fitore ia dedikojmë Fadil Vokrrit”, tha Challandes.

“Nuk e di nëse ka pamje nga qielli, apo nëse mund ta shikonte ndeshjen, por ishte shumë e rëndësishme për dhe ishte kënaqësi e madhe për mua dhe ekipin”, shtoi Challandes.

“Mendoj se pjesa e parë nuk ishte e keqe, por problemi i vetëm është se nuk kishim mjaftueshëm lojtarë në zonën e rrezikshme. Luajtëm mirë, patëm durimin, nuk patëm kaq hapësira në Azerbajxhan dhe u desh ta ndryshojmë stilin e lojës”.

“Në pushim të pjesës së parë u thash lojtarëve se duhet të vazhdojmë në mënyrë të njëjtë, por me më shumë njerëz në zonën e rrezikshme”, përfundoi Challandes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme