Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka pranuar se po përballet me probleme të mëdha para sfidës më të rëndësishme për “Dardanët”, atë kundër Maqedonisë së Veriut.
Trajneri zviceran e nisi konferencën e së hënës me një të qeshur, por gjatë saj pati edhe momente nervozizmi, sidomos kur u pyet për Bernard Berishën, të cilin e la jashtë listës shkaku i gjestit që bëri pas golit të shënuar ndaj Greqisë, muajin e shkuar.
Kosova është grumbulluar të hënën për ndeshjen e së enjtes ndaj Maqedonisë së Veriut dhe për dy ndeshjet e mëpasshme në Ligën e Kombeve. Grumbullimi, si zakonisht, nisi me konferencën e selektorit.
Selektori Challandes, që kërkoi përkrahje nga të gjithë për ndeshjen e rëndësishme për kualifikim në Evropian, ka zbuluar se listës së atyre që mungojnë i janë shtuar edhe mesfushorët Hekuran Kryeziu dhe Idriz Voca, të cilët janë lënduar në fundjavë me ekipet e tyre. Shkaku i lëndimit mungon edhe Milot Rashica. Kurse për Amir Rrahmanin dhe Vedat Muriqin nuk dihet ende nëse Challandes do t’i ketë në dispozicion ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Besoj që e dini që nuk është situatë e mirë. Kemi disa probleme, por ndoshta mund ta fillojmë këtë konferencë me një të qeshur. Kemi probleme të natyrave të ndryshme. Jemi në kontakt me FIFA-n për Amir Rrahmanin, pasi FIFA është organi që mund të vendosë. E dimë gjendjen në rajonin e Napolit (me koronavirus v.j.), por unë jam optimist se Rrahmani mund të na bashkohet deri të martën më së largu. Do të presim vendimin final. Për Muriqin duhet të presim deri të martën në mëngjes. Do të shohim se si do të jetë situata e tij pasi ka një lëndim. Unë jam pesimist për Muriqin, por do të shohim”, tha Challandesi.
Në rast të mungesës së Vedat Muriqit, ai deklaroi se ka në dispozicion Atdhe Nuhiun dhe Benjamin Kollollin, kurse mesfushën e sheh më problematike.
Muriqi është në listë, por nuk ka stërvitur për kohë të gjatë për shkak të një lëndimi dhe pas infektimit me koronavirus. Ai nuk ka luajtur që nga mesi i korrikut dhe së fundmi është transferuar te Lazio.
Ndërkohë Rrahmani mund të jetë “viktimë” e situatës me COVID-19 te Napoli. Dy lojtarë të kësaj skuadre janë infektuar dhe kjo ka shkaktuar telashe për të gjithë. Të dielën Rrahmani kishte deklaruar se gjasat që të vijë thuajse nuk ekzistojnë. Por Challandes vazhdon të jetë optimist i matur.
Pavarësisht mungesave të rëndësishme, Challandesi thotë se nuk do ta ndryshojë stilin e lojës.
Sipas tij, dueli me Maqedoninë do të jetë më i rëndësishmi deri më tani dhe në këtë kohë nuk do polemika, por përkrahje.
“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për Kosovën. Është e rëndësishme edhe për ju gazetarët dhe për popullin e Kosovës. Nuk kemi nevojë tani për polemika, por për përkrahje. Unë nuk mund të qaj nëse nuk do ta kem Muriqin në sulm, unë si trajner duhet ta përgatis dhe motivoj ekipin me këta lojtarë që do t’i kem në dispozicion”, deklaroi 69-vjeçari.
Challandesi shtoi se nuk e ka ndërmend të vajtojë, por do t’i motivojë lojtarët që ka në dispozicion për të arritur fitore. Ai pati fjalë të mira për Maqedoninë e Veriut, për të cilën tha se kur luan mirë, luan sikurse Kosova.
“Maqedonia e Veriut ka ekip shumë të mirë. I kam parë shumë ndeshje të saj. I kam parë edhe dy të fundit dhe sidomos ndaj Gjeorgjisë ka luajtur shumë mirë. I kemi përgatitur disa video për lojtarët për t’i parë. Nëse i shikojmë ndeshjet e maqedonasve, kur ata luajnë mirë, luajnë sikurse Kosova. Ata luajnë shumë mirë, kërkojnë ta kenë posedimin e topit, kanë lojtarë të mirë individualisht. Sistemi i lojës së tyre është sikurse i Kosovës”, u shpreh Challandes.
I pari i shtabit teknik të Kosovës foli edhe për Andi Zeqirin, për të cilin tha se ka zgjedhur të luajë për Zvicrën deri në fund të fazës kualifikuese. Challandesi pohoi se Zeqiri do ta ketë derën hapur te Kosova, pavarësisht që, sipas tij, i ka ndryshuar fjalët brenda natës. Kurse për Bernard Berishën tha se e ka lënë jashtë për disa arsye.
“Unë jam trajner dhe unë vendos. Berisha nuk është këtu për disa arsye. Unë e kam thënë disa herë dhe po e përsëris. Jemi një familje dhe kur në një familje ka probleme mes fëmijëve dhe babait, ato nuk duhet të dalin jashtë mureve të shtëpisë. Unë nuk kam dashur ta tregoj autoritetin tim në këtë rast, por janë disa arsye që e kam marrë këtë vendim. Me Bernardin kemi biseduar në Itali për rreth një orë para përballjes me Moldavinë. Bernardi do ta ketë derën hapur te Kosova. Por, pasi nuk më pyetnit për Berishën më herët, kur ne kishim rezultatet pozitive, askush nuk më ka pyetur. Raste të tilla ka pasur edhe më herë. Celina më ka thënë nëse nuk luaj, nuk do të vij, dhe ka mbetur në klub. Po ashtu edhe Kastrati”, theksoi Challandes.
Ai e pranon se nuk ka lojtarë të mjaftueshëm për tri ndeshjet e këtij muaji, por pas duelit me Maqedoninë e Veriut, pohoi se do ta shohë mundësinë që të marrë ndonjë lojtar nga Përfaqësuesja U-21, qoftë vetëm për stërvitje apo edhe për ndeshje.
Ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luhet të enjten nga ora 20:45 në Shkup, pa praninë e shikuesve. Në rast të fitores, “Dardanët” do të kalonin në finale të plejofit, ku do të luanin me fituesin e duelit, Gjeorgji – Bjellorusi. Finalja do të zhvillohet më 12 nëntor dhe fituesi e siguron kualifikimin në Kampionatin Evropian.
Të dielën Kosova luan në Prishtinë me Slloveninë, kurse më 14 tetor takohet me Greqinë në Athinë. Janë këto ndeshjet e radhës në Ligën C të Ligës së Kombeve.